NJË AMBIENT I PASTËR ËSHTË DËSHMI E NJË MENDËSIE TË PASTËR

Sipas filozofit Malik bin Nebij, problemi i papastërtisë në vendet e pazhvilluara, para se gjithash është problem i “krizës kulturore”. Një vend i pastër, është dëshmi e pastërtisë së mendjes dhe ndërgjegjes.
Pastërtia është një sjellje e civilizuar njerëzore, që është dashur ta mësojmë që nga fëmijëria. Mungesa e interesimit tonë për pastërtinë është për shkak të mungesës së vetëdijes sonë për të.
1. Pastërtia nënkupton një mori sjelljesh, që ndërmerr një person, për të ruajtur pastërtinë e trupit, rrobave dhe mjedisit të tij në të gjithë aspektet, e pastaj ky ambient i pastër bëhet një ekuilibër psikologjik, që gjeneron rehati psiqike, ndjenjë lumturie e gjallërie, si dhe sjell shëndet dhe forcë.
“Mendja e shëndoshë në trup dhe ambient të shëndoshë”, dhe anasjelltas: “Trupi dhe ambineti i shëndoshë në mendje të shëndoshë”.
2. Pastërtia është tregues i sistemit shoqëror, i nivelit dhe përparimit institucional shtetëror, i fetarisë së mirëfilltë, dhe nivelit të lartë civilizues. Muhamedi alejhi selam ka thënë: “pastërtia është gjysma e besimit”, dhe se besimi është shtatëdhjetë e sa pjesë, e që fillon me dëshminë mbi ekzistencën e Zotit, si pjesa më e lartë, dhe reflekton me largimin e një mbeturine nga rruga, si fazë përfundimtare.
3. Pastërtia e shtëpive tona, nga njëra anë, dhe moskujdesi për pastërtinë në rrugët tona plot ndyrësi, shfaq dy kriza shoqërore:
a. Ne besojmë se zotërojmë vetëm shtëpitë tona dhe jo gjithë vendin tonë, pra kemi problem konceptual me pronën publike.
b. Ne ndjejmë përgjegjësi vetëm ndaj pronës private, por jo edhe publike. Nëse e shohim dikë tek hedh mbeturina në ambient publik, për këtë nuk çajmë kokën shumë, por sikur e njejta të ndodhte me oborret tona, do të bëhej belaja.
4. Kemi ndërtuar një fetari në trajten e një religjioni që lidh robin me Zotin, dhe kaq. Që interesohet vetëm për qiellin, e jo edhe për Tokën. Fetari e cila në thelb ndërton individ që interesohet vetëm për punët e tij private, dhe jo edhe për ato kolektive. Këtë logjikë e kemi bërë edhe me ritaulet, sidomos nga  lufta e këndej, duke konsideruar çdo adhurim vullnetar kolektiv si jo legjitim (bidat). Kjo është kriza e sistemit shoqëror që e përmend Malik Bin Nebij, me qëllim për ta reformuar atë.
5. Familjet, shkollat dhe xhamitë, janë zemrat që rrahin në jurisprudencën e “mirësjelljes dhe kulturës së higjienës”, ku qytetari mëson dhe edukohet për elegancën, pamjen e bukur, pastërtinë në dhomën dhe ambientin e tij, pastaj vazhdon me zgjerimin e kujdesit për planetin e përbashkët të quajtur Tokë.
Aparati social përbëhet nga familja, shkolla dhe sistemi i përgjithshëm i shërbimeve shtetërore, dhe ky është ai që ngreh higjienën në nivel të sjelljes të qenësishme në mendjet e qytetarëve, dhe ata e kryejnë atë në mënyrë spontane dhe pa kosto. Kështu, ata do të jenë plotësisht të vetëdijshëm për përgjegjësitë e tyre, pasi udhëheqin stilin e jetës në bashkërëndim me institucionet dhe kompanitë përgjegjëse për pastrimin dhe mirëmbajtjen e ambienteve. Përndryshe, asnjë shtet apo kompani nuk mundet të mbajë pastërti pa këtë ndihmë të qytetarëve të saj.
Halil Avdulli