Policia e Gjirokastrës ka bërë të ditur detaje nga ngjarja në fshatin “Asim Zeneli”, ku një 64-vjeçar humbi jetën si pasojë e flakëve të përhapura nga një vatër zjarri.
Në njoftimin për mediet, policia sqaron se dje “rreth orës 17:00, njoftohemi se në fshatin “Asim Zeneli”, në bahçen në afërsi banesës së tij, shtetasi A. H., rreth 64 vjeç, ka humbur jetën, si pasojë e flakëve të përhapura nga një vatër zjarri”.
Gjithashtu, bën të ditur Policia, ka mbetur e dëmtuar nga flakët edhe bashkëshortja e tij, shtetasja T. H., rreth 57 vjeçe, e cila ndodhet në Spitalin Rajonal Gjirokastër.
“Në vendngjarje kanë shkuar shërbimet e Policisë dhe zjarrfikëse. Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë Pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Gjirokastër ndodhen në vendngjarje dhe vijojnë punën për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes”, thuhet në njoftimin e policisë. /atsh