Nisma për Kosovën gjatë ditës pritet të mbajë takime me shefat e grupeve parlamentare të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Lëvizjen Vetëvendosje, për t’i harmonizuar qëndrimet dhe veprimet e mëtutjeshme lidhur me mocionin e mosbesimit ndaj Qeverisë.
Deputeti i Nismës, Enver Hoti në një prononcim për Telegrafin tha se janë në konsultim me opozitën dhe besojnë se iniciativa e tyre do të jetë e suksesshme.
“Jemi në konsultim të ngushtë me opozitën dhe sot do të kemi takime me shefat e grupeve parlamentar të AAK-së dhe LVV-së. Do të harmonizojmë qëndrimet dhe veprimet e mëtutjeshme”, ka thënë Hoti.
Ai tha se sot do të bisedojnë edhe me deputetët tjerë për t’i bindur në dhënien e nënshkrimit të tyre.
“Jam plotësisht optimist që do t’i mbledhim këto nënshkrime për inicimin e mocionit të mosbesimit pasi shumë deputetë mendojnë që vendi duhet të shkoj në zgjedhje të parakohshme”, deklaroi Hoti për Telegrafin.