Mocioni për rrëzimin e Qeverisë, i nisur nga Nisma për Kosovën, ende nuk ka sjellur rezultate konkrete. Ndonëse thonë se janë mbledhur një numër i madh i nënshkrimeve, zyrtarë të partisë së Fatmir Limajt nuk saktësojnë numrin e tyre.
Deputeti i Nisma-s, Enver Hoti ka thënë për “Indeksonline” se janë në rrugë të mbarë që të arrihet qëllimi për rrëzimin e Qeverisë “Mustafa”.
“Do të shkojmë në nivelin e domosdoshëm dhe të nevojshëm për nxjerrjen e nënshkrimeve për të proceduar në kryesinë e Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe pastaj shohim se si do të rrjedh situata”, ka thënë ai.
Më tej, Hoti ka thënë se deri tani janë duke u munduar t’i mbledhin nënshkrimet nga gjitha subjektet politike në Kuvendin e Republikës.
“Jemi në punë të mbarë dhe jemi duke ecur me hapa të sigurt dhe me një mbështetje shumë të mirë nga deputetët e Parlamentit për të arritur 40 nënshkrime dhe për të futur në procedim si rrugë procedurale”, ka thënë ai, duke shtuar se vndi duhet të shkojë në zgjedhej të parakohshme për të dal nga situata dhe kriza poliitke dhe institucionale.
Vlen të theksohet se mocion mosbesimi për Qeverinë e Kosovës ka marrë përkrahjen edhe nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës si dhe Lëvizja Vetëvendosje.