Ministri i Infrastrukturës, Lutfi Zharku, së bashku me kryetarin e Komunës së Podujevës, Agim Veliu, përuruan rikonstruktimin e rrugës regjionale R 126, segmenti Pollatë – Reçicë (te kulla e Demë Ahmetit), te Ura në fshatin Sllatinë dhe fillimin e punimeve për zgjerimin e rrugës Nacionale N 25, segmenti rrethrrotullimi Besi – Podujevë, Loti 5, te kyçja e parë për Podujevë nga drejtimi i Prishtinës.
Zharku uroi Veliun dhe banorët e komunës së Podujevës për këto projekte me rëndësi të madhe, të cilat po realizohen nga Ministria e Infrastrukturës.
“Besoj që sot është një ditë e madhe për banorët e Podujevës, sepse po fillojmë një ndër projektet më të mëdha në Republikën e Kosovës, projekti i zgjerimit të rrugës Podujevë-Besi deri në Prishtinë. Sot po fillojmë vetëm segmentin e parë, kurse segmentet e tjera do t’i vazhdojmë në muajt në vijim. Kjo rrugë do të ketë katër korsi, trotuar, ndriçim, që do të thotë se po ndërtojmë një rrugë me standarde evropiane”, tha ministri Zharku.
Ai theksoi se së bashku me kryetarin, zëvendësministritat, deputetët e pranishëm dhe bashkëpunëtorët e tjerë kanë përuruar përfundimin e punimeve të rrugës Pollatë-Reçicë-Demë Ahmetaj, një projekt me gjatësi prej 8.7 kilometrash dhe me vlerë rreth 1.5 milion euro.
Ndërsa projekti tjetër, segmenti i parë, sipas Zharkut, ka një gjatësi prej 4.3 kilometrash dhe ka vlerën prej 3.9 milionë eurosh.
“Fazat e tjera do t’i vazhdojnë në muajt në vijim”, theksoi ministri Zharku.
Ndërsa kryetari Veliu e falënderoi Ministrinë e Infrastrukturës për investimet e bëra në infrastrukturën e komunës së Podujevës dhe uroi banorët e kësaj komune për këtë ngjarje shumë të veçantë.
Rikonstruktimi i rrugës regjionale R126, segmenti Pollatë – Reçicë (te kulla e Demë Ahmetit) dhe zgjerimi i rrugës nacionale N25, segmenti rrethrrotullimi Besi-Podujevë, Loti 5 janë investim i Ministrisë së Infrastrukturës.
Përveç këtyre projekteve, MI gjatë këtij viti në komunën e Podujevës do të investojë edhe në këto projekte:
• Asfaltimi i rrugës për nevojat e Burgut të Sigurisë së lartë në Gërdoc;
• Asfaltimi i rrugëve në qytetin e Podujevës;
• Asfaltimi i rrugëve në fshatrat: Dobërdol, Majac, Merdar, Kushevicë, Batllavë-Dyz dhe Herticë-Surdullë;
• Asfaltimi i Rrugës Ballaban – Orllan.