Presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani ka mbërritur në Bujanoc të Luginës së Preshevës.
Është vizita e parë e një kreu të shtetit shqiptar dhe pritja e organizuar për të ka qenë madhështore.
Mijëra qytetarë kanë dalë nëpër rrugë që të presin presidentit e vendit amë, ndërsa në duar mbanin flamujt kombëtar, raporton “Syri”.
Nishani e ka nisur vizitën e tij në Luginën e Preshevës me një takim me drejtuesit lokalë të komunës së Bujanovcit. Të pranishëm aty ishin jo vetëm drejtuesit shqiptarë, por edhe përfaqësues të partive politike shqiptare.
Gjatë fjalës së tij, Nishani është shprehur se vizita në një ditë të veçantë si 7 Marsi bën krenar këdo.
“Edhe një herë dua të shpreh jo vetëm falënderimet, por mirënjohjen më të madhe për këtë pritje të veçantë në këtë ditë që është dita e mësuesve por edhe si president i Shqipërisë me pjesën më krenare të popullit shqiptar. Jo vetëm veten e familjet tuaja, por keni bërë krenar edhe gjithë popullin shqiptar për ruajtjen e identitetit kombëtar dhe për ta prezantuar atë me dinjitet e integritet”, tha gjatë fjalës së tij, presidenti Bujar Nishani.