Nishani: Marrëveshjet Kosovë – Serbi janë të rëndësishme

Presidenti i Shqipërisë, Bujar Nashani, i cili po qëndron për një vizitë zyrtare në Luginë të Preshevës, ka deklaruar se Shqipëria nuk do të ndërhyj e as nuk do të flasë në emër të institucioneve të Kosovës por do të mbështesin si shumë të rëndësishëm dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.

“Marrëveshjet e arritura janë shumë të rëndësishme dhe duhet të realizohen në tërësi. Shqipëria nuk ka asnjë ndjesi apo tendencë paternaliteti ndaj askujt dhe është e obliguar me kushtetutën e saj të ndjekë të drejtat dhe liritë e shqiptarëve kudo që jetojnë. Ne kemi një realitet të ri në Ballkan dhe duhet të punojmë të gjithë për stabilitetin dhe konsolidimin e këtij realiteti që kemi në Ballkan”, ka thënë Presidenti Bujar Nishani para gazetarëve me të përfunduar takimet në komunën e Bujanocit.

I pyetur nga gazetari i Rtklive.com, në lidhje me investimet e mundshme të Shqipërisë në Luginën e Preshevës, Nishani ka thënë se ka garantuar drejturesit shqiptarë nga Bujanoci dhe Presheva e Medvegja se ai do të jetë një vokacion publik shumë i fortë për të ndjekur me kujdes realizimin e angazhimeve që kanë marrë dy qeveritë, ajo e Republikës së Serbisë dhe ajo e Shqipërisë në lidhje me zhvillimet infrastrukturore në Luginën e Preshevës.

Ndërkohë Shaip Kamberi, kryetar i komunës së Bujanocit ka thën se kanë dërguar projekte në Qeverinë e Shqipërisë konkrete për të cilat ai tha se janë në pritje të realizimit.