Dy qytetarët e lënduar në Ferizaj, u nisën sot për trajtim mjekësor për Graz të Austrisë, falë përkrahjes dhe mbështetjes së këtij shteti.
Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, e falënderoi ambasadorin austriak në Kosovë dhe ambasadorin e Kosovës në Austri, që sipas tij, treguan përkushtim të madh dhe kanë kontribuar që të gjendet mundësia dhe përkrahja që sa më parë të nisen dy qytetarët e lënduar për trajtim.
“Situata në të cilën ndodhet tërë bota, shkaku i pandemisë, është tepër e rëndë. Shtretërit e lirë dhe emergjencat tjera, janë të stërngarkuara nga pacientët, në tërë botën. Ishte shumë e vështirë të gjenden shtete që do të mund të hapnin dyert dhe të merrnin për trajtim dy pacientët tanë. I falënderoj të gjitha familjet për mirëkuptim dhe bashkëpunim. Përkushtimi ynë për çdo pacientë do të vazhdojë”, tha Zemaj.