Ballina Jeta Shëndetësi Nis testimi i vaksinës së parë për kancerin në mushkëri

Nis testimi i vaksinës së parë për kancerin në mushkëri

Mjekët kanë nisur të testojnë vaksinën e parë në botë për kancerin e mushkërive mRNA te pacientët, pasi ekspertët thanë se ka një potencial novator për të shpëtuar mijëra jetë.

Kanceri i mushkërive është shkaku kryesor në botë i vdekjeve. Numri i njerëzve të vdekur në botë është rreth 1.8 milionë. Shkalla e mbijetesës te pacientët që kanë forma të avancuara të kësaj sëmundjeje është zakonisht e ulët.

Rishtazi, ekspertët janë duke testuar një vaksinë të re që udhëzon trupin të identifikojë dhe sulmojë qelizat e kancerit e më pas, i parandalon ato që të rikthehen. E njohur si “BNT116” vaksina është e prodhur nga BioNTech.

Prova klinike e fazës së parë dhe studimi te njerëzit ka nisur në 34 hapësira kërkimore dhe në 7 vende në botë: Mbretëria e Bashkuar, Gjermania, Hungaria, Polonia, Spanja dhe Turqia.

Në Mbretërinë e Bashkuar, një pacient mori vaksinën e parë gjatë kësaj jave. Në total, rreth 130 pacientë, të cilat janë të prekur nga kanceri në mushkëri në faza të ndryshme, që nga fillesa e deri te fazat e përparimit, do të regjistrohen për të kryer vaksinimin, së bashku me imonuterapinë. Qëllimi është të forcohet imuniteti i një personi me kancer, duke lënë qelizat e tjera të shëndetshme të paprekura.

“Ne po hyjmë tani në këtë epokë të re shumë emocionuese të provave klinike të imunoterapisë të bazuara në mRNA për të hetuar trajtimin e kancerit të mushkërive,” tha profesor Siow Ming Lee, onkolog konsulent në fondacionin e NHS të spitaleve të Kolegjit Universitar në Londër (UCLH).

“Është e thjeshtë për t’u injektuar dhe ju mund të zgjidhni antigjene specifike në qelizën e kancerit. Kjo teknologji është faza tjetër e madhe e trajtimit të kancerit”, shtoi ai.

Janusz Racz, 67 vjeç, nga Londra, ishte personi i parë që bëri vaksinën në Mbretërinë e Bashkuar. Ai u diagnostikua me kancer në mushkëri në maj të këtij viti dhe shumë shpejt filloi kimioterapinë dhe radioterapi.

Racz mori gjashtë injeksione të njëpasnjëshme në Institutin Kombëtar për Kërkime Shëndetësore Kërkimore. Çdo dozë përmbante përbërje ARN (molekulë polimerike që është thelbësore për shumicën e funksioneve biologjike).

Pacienti do ta marrë vaksinën rregullisht, për 6 javë resht dhe më pas, 1 herë në 3 javë për një periudhë 54-javore. Mjekët u shprehën optimistë për trajtimin, duke thënë se shpresojnë që vaksina të ndalojë rikthimin e kancerit.

“Unë kam qenë në kërkimet e kryera për kancerin e mushkërive për 40 vjet. Kur fillova në vitet 1990, askush nuk besonte se kimioterapia funksiononte”, u shpreh Lee, duke vijuar: “Tani e dimë se rreth 20-30% [e pacientëve] qëndrojnë gjallë në fazën 4 me imunoterapi dhe duam të përmirësojmë normat e mbijetesës.

Shpresojmë të kalojmë në fazën 2, fazën 3, dhe më pas shpresojmë që të bëhet standardi i kujdesit në mbarë botën dhe të shpëtojë shumë pacientë me kancer të mushkërive”.

Exit mobile version