Nis stërvitja ushtarake “Atatürk” midis Turqisë dhe Pakistanit

Nëpërmjet një ceremonie, në provincën Khyber Pakhtunkhwa të Pakistanit ka nisur “Stërvitja Atatürk 2021”, e cila zhvillohet bashkërisht nga forcat e armatosura të Pakistanit dhe Turqisë, raporton Anadolu Agency (AA).

Zyra e Marrëdhënieve me Publikun e Ushtrisë së Pakistanit (ISPR) tha në një deklaratë se stërvitja në rajonin Tarbela midis forcave të dy vendeve do të zgjasë tri javë.

Në deklaratë theksohet se stërvitja do t’i forcojë më tej lidhjet midis dy vendeve vëllazërore.

Ndryshe, stërvitjet e përbashkëta midis Komandove dhe Forcave Speciale të dy vendeve mbahen që nga viti 1998 me rotacion. Gjatë realizimit në Turqi, ajo emërohet si “Stërvitja Jinnah”, sipas themeluesit të Pakistanit Muhammad Ali Jinnah, kurse në Pakistan quhet “Stërvitja Atatürk”, sipas themeluesit të Turqisë moderne, Mustafa Kemal Atatürk.