Është shtyrë seanca e mjekëve të akuzuar për keqpërdorim detyre në Rastin Stenta. Seanca fillestare në Rastin Stenta ku të akuzuar janë 64 persona kryesisht punëtorë shëndetësorë të institucioneve publike e private është shtyrë për mungesë të njërit nga të akuzuarit-Agron Besimit.
Para se gjykata të vendosë për shtyrjen, me mosmbajtjen e seancës sot u pajtua edhe prokurori Agron Bajrami që ditën e sotme e përfaqësoi aktakuzën.
Bajrami tha se nuk janë plotësuar kushtet për zhvillimin e seancës, ndërsa i kërkoi gjykatës që në seancën e radhës ta sigurojë praninë e të akuzuarve.
Prokurori e pranoi se ende nuk u janë dorëzuar provat të akuzuarve që nuk e kanë gjuhë amtare shqipen.
“Për sa i përket çështjes së provave u janë dorëzuar të gjithëve, ndërsa sa u përket atyre në gjuhën turke pjesa e mbetur e materialeve do t’u dorëzohet shumë shpejt,” tha prokurori Bajrami.
Prokurori kundërshtoi veçimin e procedurës për Aganin e Shabanin.
“Nuk plotësohen asnjë nga kushtet ligjore për veçimin e procedurës dhe se provat janë të ndërlidhura dhe veçimi do të ishte në kundërshtim me parimet e procedurës penale,” tha prokurori Bajrami.
Seanca e shtyrë u caktua të zhvillohet më 30 nëntor.