Nis gjykimi i parë në Speciale, Salih Mustafa përballet me katër akuza për krime lufte

Ka nisur në Speciale gjykimi i parë ndaj një ish-ushtari të UÇK-së.

Bëhet fjalë për Salih Mustafën, gjykimi i të cilit ka nisur sot në orën 09:30 të mëngjesit, shkruan lajmi.net.

Aktakuza kundër Salih Mustafës u konfirmua më 12 qershor 2020 dhe versioni përfundimtar u bë publik më 28 shtator 2020.

Kundër tij janë ngritur akuza mbi bazën e përgjegjësisë penale individuale dhe përgjegjësisë penale si epror për katër krime lufte: ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje e paligjshme. Pretendohet se krimet janë kryer në kompleksin e ndalimit në Zllash në Kosovë, në prill 1999.

Në ditën e parë, Kryegjykatësja e Trupit Gjykues do të çelë gjykimin, do të kërkojë që të akuzuarit t’i lexohet aktakuza, do ta informojë të akuzuarin për të drejtat dhe obligimet e tij dhe do ta pyesë të akuzuarin nëse e ka kuptuar aktakuzën dhe nëse dëshiron t’i qëndrojë deklarimit të tij të mëhershëm.

Në këtë çështje i akuzuari është vetëdeklaruar i pafajshëm.

Zyra e Prokurorit të Specializuar do të ketë tri orë për deklaratën e vet hapëse.

Më pas, mbrojtësja që përfaqëson viktimat pjesëmarrëse do të ketë një orë e gjysmë për deklaratën e saj hapëse.

Deri më tani, si viktima pjesëmarrëse në proces janë pranuar nëntë persona dhe procesi i paraqitjes së kërkesave është i hapur.

Personat që mund të demonstrojnë se kanë pësuar dëm fizik, mendor ose material si pasojë e drejtpërdrejtë e një krimi të renditur në një aktakuzë publike të konfirmuar nga DHSK-ja, ende mund të paraqesin kërkesë për pjesëmarrje në proces.

Këtu përfshihen persona që kanë pësuar dëm drejtpërdrejtë, si dhe persona që kanë lidhje të ngushtë me një viktimë të drejtpërdrejtë të vrarë ose të lënduar.

Trupi Gjykues ka planifikuar disa seanca për muajt shtator dhe tetor.

Gjykatësit kanë bërë të ditur se Prokuroria do të ketë 87 orë për paraqitjen e provave të veta. Prokuroria ka plan të thërrasë 16 dëshmitarë, 15 prej të cilëve do të dëshmojnë në sallën e gjyqit.