Nigeri, 56 për qind e sulmeve me bomba të Boko Haram janë kryer nga gratë

Në sulmet e kryera në 6 vitet e fundit nga organizata terroriste Boko Haram në Nigeri, 56 për qind e akteve të sulmeve me bomba janë kryer nga gratë, transmeton Anadolu Agency (AA).

Sipas një raporti të publikuar nga Qendra për luftimin e terrorizmit me qendër në SHBA, në 247 sulmet e kryera nga muaji prill i vitit 2011 e deri në qershor të vitit 2017, kanë marrë pjesë 434 sulmuese.

Në raport theksohet se 56 për qind e sulmuesve janë gra ndërsa në mesin e sulmuesve ndodhen 81 të rinj apo fëmijë.

Sipas statistikave sulmuesit meshkuj si objektiv kanë marrë vendet që i përkasin të krishterëve si kishat, kurse gratë rajonet e vendbanimeve civile si tregjet, marketet dhe shkollat.

Në raport theksohet se kjo organizatë ka kryer sulme edhe ndaj ndërtesave zyrtare dhe njësive të sigurisë.

Përkundër operacioneve efektive të kryera në vitet e fundit kundër militantëve të Boko Haramit, kjo organizatë ende shkakton probleme serioze ndaj sigurisë në Nigeri, vend me numrin më të madh të banorëve në Afrikë.

Boko Haram, është shfaqur në fillim të viteve 2000, ndërsa me akte të dhunshme masive nisi nga viti 2009 pas vdekjes së liderit Muhammed Yusuf, i cili ishte në arrest.