Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Nicolas Maduro betohet si president i Venezuelës në mandatin e tij të...

Nicolas Maduro betohet si president i Venezuelës në mandatin e tij të tretë

Nicolas Maduro

Nicolas Maduro u betua si president i Venezuelës për një mandat të tretë, duke u zotuar se do të ketë një periudhë paqeje dhe demokracie, transmeton Anadolu.

Maduro bëri betimin para kreut të Asamblesë Kombëtare, Jorge Rodriguez, i cili i vendosi brezin presidencial. Kjo ceremoni u zhvillua dy orë më herët se sa ishte planifikuar dhe zgjati rreth gjysmë ore.

“Betohem para kësaj Kushtetute se do të përmbush të gjitha mandatet e saj, se do të përmbush të gjitha detyrimet e Kushtetutës dhe të ligjeve të Republikës dhe se ky mandat i ri presidencial do të jetë periudha e paqes, prosperitetit, barazisë dhe demokracisë së re”, tha Maduro në Sallën Eliptico.

Të pranishëm në ceremoni ishin presidenti i Nikaraguas, Daniel Ortega dhe presidenti i Kubës, Miguel Diaz-Canel. Qeveria e Brazilit u përfaqësua nga ambasadorja e saj në Karakas, Glivania Maria de Oliveira.

“Askush të mos ngatërrohet me popullin e Venezuelës. Unë thashë se do të ketë paqe, ka dhe do të ketë paqe. Ne jemi luftëtarë të historisë dhe do të garantojmë paqen dhe sovranitetin kombëtar, përgjithmonë”, tha Maduro, i cili pretendoi se ai ndihej i emocionuar.

– Pretendimet e opozitës për fitore

Maduro po përballet me akuza për mashtrim nga opozita, e cila pretendon fitoren e kandidatit Edmundo Gonzalez Urrutia në zgjedhjet e 28 korrikut 2024.

Opozita ka përsëritur disa herë se Gonzalez Urrutia do të ishte në Venezuelë më 10 janar, ndaj ka shumë pritshmëri për ardhjen e tij të mundshme në vend. Opozita pretendon se ka një plan që ai të marrë detyrën. Gonzalez Urrutia ka qenë në një turne ndërkombëtar javën e kaluar për të mbledhur mbështetje nga vendet e rajonit.

SHBA ka njohur si fitues Gonzalez Urrutia-n, i cili vizitoi Shtëpinë e Bardhë këtë javë. Presidenti i zgjedhur i SHBA-së, Donald Trump, i cili edhe vetë që do të betohet më 20 janar, iu referua Urrutia-s si “president i zgjedhur”.

Në lidhje me këtë, Maduro tha se pushteti nuk i ishte dhënë atij nga “një president i huaj”.

“Unë nuk u emërova president nga qeveria e Shteteve të Bashkuara, as nga qeveritë pro-imperialiste. Unë vij nga populli, pushteti im i përket popullit dhe veten ia kam borxh popullit”, shtoi ai, duke akuzuar qeverinë në largim të SHBA-së dhe “skllevërve të saj në botës” për përgatitjen e një “komploti publik” të supozuar kundër zgjedhjeve presidenciale.

“Ata i shndërruan zgjedhjet në Venezuelë në zgjedhje botërore dhe ne i fituam ato”, tha ai.

Autoritetet njoftuan të premten herët se kufiri me Kolumbinë do të mbyllej deri të hënën në përgjigje të “informacioneve të supozuara për një komplot ndërkombëtar për të prishur paqen e Venezuelës”, tha Freddy Bernal, guvernatori i shtetit kufitar të Tachira.

Presidenti Maduro ka shërbyer si president që nga 14 prilli 2013.

Exit mobile version