Ngrihet aktakuzë për falsifikim dokumenti ndaj një mjeku të QKUK-së

Prokuroria Speciale e Kosovës ka njoftuar se të hënën ka ngritur aktakuzë kundër dy të pandehurve për veprat penale “Falsifikimi i dokumentit zyrtar” dhe “Legalizimi i përmbajtjes së rreme”.

Sipas njoftimit aktakuza është ngritur ndaj të pandehurit B.A me profesion mjek në QKUK, për shkak të dyshimit të bazuar mirë se ka kryer veprën penale: “Falsifikimi i dokumentit zyrtar”, si dhe të pandehurit B.D., për shkak të veprës penale “Legalizimi i përmbajtjes së rreme”.

Po ashtu bëhet e ditur se hetimet kanë vërtetuar që i pandehuri B.A, ka falsifikuar dokumentet zyrtare të QKUK-së, për dobi të të pandehurit B.D., kurse i pandehuri B.D. akuzohet se dokumentet me përmbajtje të rreme i ka dorëzuar në gjykatë.