Ngrihet aktakuzë kundër Murat Mehës

Një vendim i aplikuar për herë të parë vetëm ndaj ‘Marigona Rezidenc’, ka bërë që Murat Mehës në cilësinë e Kryeshefit të Agjencionit Kadastral të Kosovës, t’i ngritet aktakuzë për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Përveç Murat Mehës, në këtë aktakuzë përfshihen edhe Ismet Kryeziu, drejtor ligjor në Agjencionin Kadastral të Kosovës dhe Nemanja Spasic, shef i zyrës Kadastrale në komunën e Graçanicës.

 

Në këtë proces, pala e dëmtuar është ‘Marigona Rezidenc’ që pëson një humbje prej rreth 5 milionë eurosh.

I ashtuquajturi ‘mendim profesional’ që kishte dalë nga Agjensioni Kadastral i Kosovës, kishte bërë që ‘Marigona Rezidenc’ të kishte telashe të mëdha në ushtrimin e veprimtarisë, përfshirë: marrjen e kredive, shitjen e shtëpive etj.

Aktakuza është ngritur më 7 nëntor 2016.

Murat Mehës, Ismet Kryeziut dhe Nemanja Spasicit, i është ngritur aktakuzë nga Departamenti për krime të rënda në kuadër të Gjykatës Themelore në Prishtinë, për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Sipas dokumentit që Periskopi e posedon të plotë, aktakuza është ngritur me arsyetimin se ‘të pandehurit në bashkëkryerje duke filluar nga data 26.09.2014, në vazhdimësi kanë keqpërdorur detyrën zyrtare në atë mënyrë që Murat Meha, në cilësinë e Kryeshefit të Përgjithshëm të Agjensionit Kadastral të Kosovës, Ismet Kryeziu, në cilësinë e Drejtorit të Drejtoratit Ligjor në Agjenionin Kadastral të Kosovës e kanë penguar të dëmtuarën “Marigona Rezidenc’ në ushtrimin e veprimtarisë së saj, ashtu që të dëmtuarën e kanë vënë në pozitë të pabarabarë në raport me ligjin e zbatueshëm’.

Sipas aktakuzës, “personat e pandehur nuk ia kanë lejuar të dëmtuarit që sipas ligjit të regjistrojë të drejtën e bartjes së pronësisë në regjistrin kadastral”.

Murat Meha dhe Ismet Kryeziu, sipas aktakuzës, e kanë obliguar të pandehurin Nemanja Spasic, Shef i Zyrës Kadastrale në Graçanicë, që të veprojë në bazë të një mendimi professional që siç citon aktakuza, është nxjerrë “në kundërshtim me ligjin, me ç’rast ‘Marigona Rezidenc’ ia kanë cënuar barazinë në ushtrimin e veprimtarisë ekonomike dhe nga ajo periudhë të njëjtës i është shkaktuar dëm i konsiderueshëm material.

Aktakuzon kumton se të pandehurit në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale: Cënimi i barazisë në ushtrimin e veprimtarisë ekonomike nga neni 284 lidhur me nenin 31 të KPRK’së.

Si e aplikoi Agjensioni Kadastral i Kosovës për herë të parë të ashtuquajturin ‘mendim professional’ dhe pse pikërisht ndaj ‘Marigona Rezidenc’?

Në bazë të dëshmisë të të pandehurit Nemanja Spasic, i cili ka mohuar të ketë kryer vepër penale, ai deklaron se ‘deri në vitin 2014” kur edhe ndodh rasti me ‘Marigona Rezidenc’ nuk ka qenë praktike të kërkohen të ashtuquajtuar ‘mendime profesionale’, mirëpo atë kohë, atij i vjen një mendim i tillë nga AKK.

Sipas sqarimit që e citon aktakuza thuhet se ‘ky mendim nuk ka pasur karakter obligativ por vetëm e ka sqaruar mënyrën e bartjes së pronave ku shfrytëzuesi i pronës konsdierohet qirambajtës 99 vite e të drejtën e dhënies së tjetrit mund t’ia bart si nënqiramarrës për 99 vite”.

‘Mendimi profesional’ që dëmtoi veprimtarinë e ‘Marigona Rezidenc’ për rreth 5 milionë euro

Për Erold Belegun, që është palë e dëmtuar në këtë proces, ky ‘mendim profesional’ është paksa i habitshëm si formë, pasiqë është aplikuar për herë të parë vetëm ndaj ‘Marigona Rezidenc’.

Njoftimi që u shkon atyre se të gjitha parcelat që i kanë si qirambajtje për 99 vite ‘tani e tutje do të trajtohen si nënqirambajtje për 99 vite’, do të ishte i befasishëm e njëherit edhe shumë dëmtues për ndërmarrjen.

Në arsyetimin e aktakuzës thuhet se ‘Kjo për të dëmtuarën ka sjellë shumë problem dhe dëme të natyrave të ndryshme si material ashtu edhe morale rreth imazhit që ka pasur kjo veprimtari meqë është pamundësuar realizimi i projektit në tërësi dhe që ka sjellë deri tëe humbja e të drejtës së tyre për të marrë kredi nëpër banka për shkak të statusit të ri të krijuar nga mendimi professional dhe rekomandimi i AKK’së ku me këto kredi kishin pasur në plan të finalizojnë planin e tyre e në anën tjetër është dashur të bëjnë pagesën e kredive te vjetra gjë që ka vështirësuar dhe rrrezikuar veprimtarinë e tyere”.

Dëmi i përllogaritur nga ky vendim që Agjencioni Kadastral e aplikon për herë të parë vetëm ndaj ‘Marigona Reziden’c, sipas të dëmtuarve përllogaritet të jetë diku rreth 5 milionë euro.

Belegu: Murat Meha me vendime të tilla mund ta dëmtojë tërë Kosovën

Erold Belegu, përfaqësues i ‘Mairgona Rezidenc’, ka thënë për Periskopin se ky ka qenë një proces i gjatë gjyqësor, për të cilin, thotë se janë të lumtur se ‘më në fund është ngritur aktakuzë’.

Ai i ka thënë Periskopit se një hap i tillë në formë ligjore, në vitin 2014 është marrë vetëm ndaj ‘Marigona Rezidenc’.

“Që kur ka nisur ky problem ne në vazhdimësi kemi qenë në kontakte me të gjithë përfaqësuesit e Agjensionit Kadastral të Kosovës sepse jemi dëmtuar shumë. Kemi komunikuar në vazhdimësi me Murat Mehën, Ismet Kryeziun e Nemanja Spasicin, por të gjithë na thonin se ky hap është bërë në bazë të atij mendimi ligjor”, thotë Belegu për Periskopin.

Ai thotë se nuk e di pse ka ndodhur kjo por se ‘qëllimi ka qenë ta dëmtojnë Marigona Rezidenc’.

“Unë nuk e di pse ka ndodh kështu…por po, qëllimi ka qenë natyrisht që të dëmtohemi ne si palë’, ka thënë Belegu.

Duke sqaruar në tërësi se si ka rrjedhur e gjithë ngjarja, Belegu ka sqaruar se ka qenë e habitshme se si për herë të parë kjo formë është aplikuar ndaj ‘Marigona Rezidenc’ dhe se ka qenë e jashtligjshme.

‘Vetëm pas 5 muajsh pasi ndodh kjo me Marigona Rezidenc, Agjencia Kadastrale përmes një rekomandimi, shtyn që kjo formë të aplikohet jo vetëm në Prishtinë e Graçanicë, por edhe në komuna të tjera të Kosovës’, thotë Belegu, duke shtuar se ‘Murat Meha me vendime të tilla mund ta dëmtojë Kosovën”.

Periskopi ka provuar të kontaktojë të pandehurit e kësaj aktakuze, përfshirë edhe Murat Mehën, por qasja ka qenë e pamundur.