“Ngjarjet në shkollat kishtare në Kanada ishin gjenocid”

Geronimo Henry

Geronimo Henry, anëtar i Komunitetit Indigjen Six Nations në qytetin Brantford të Kanadasë, përdori shprehjen “gjenocid” pas zbulimit të qindra varreve të padokumentuar të fëmijëve në kopshtin e ish-shkollës kishtare rezidenciale në British Columbia dhe Saskatchewan, duke bërë thirrje për drejtësi për të gjithë fëmijët.

Një total prej 139 shkollash kishtare me konvikt, e para prej të cilave u hap nga Kisha Katolike në vitet 1800 në emër të qeverisë kanadeze dhe e fundit u mbyll më 1997, u bënë vende ku më shumë se 150.000 fëmijë indigjenë u morën me forcë nga familjet e tyre gjatë viteve që vepruan.

Korrespondenti i Anadolu Agency (AA) filmoi Shkollën Kishtare Rezidenciale Mohawk, e cila vepronte në rajonin Kanata të Brantfordit në Ontario, një nga shkollat ​​më të mëdha me konvikt në vend.

Ndërtesa kryesore e shkollës, e cila u hap nga Kisha Katolike në vitin 1831 dhe u mbyll më 27 qershor 1970, po mbahet e mbyllur për shkak të rinovimeve.

Shkolla ka shërbyer si qendër kulturore që nga viti 1972 me tri galeri arti, një muze historie dhe një bibliotekë.

– Rrëfime nga qëndrimi 11-vjeçar në shkollë

Geronimo Henry (84), anëtar i Komunitetit Indigjen Six Nations në Brantford, tregoi përvojat e tij përpara shkollës ku qëndroi për 11 vjet.

Geronimo Henry tha se në moshën 17-vjeçare ai e la shkollën nga e cila u mor në moshën gjashtëvjeçare, dhe se në shkollë gjatë kësaj kohe u mbajtën edhe një vëlla dhe dy motra të tij.

Ai tregon se vëllai kishte ikur nga shkolla në një rast dhe nuk ishte kthyer më.

“Ne nuk mund t’i afroheshim kësaj dere. Vetëm të punësuarit mund të hynin nga këtu. Unë kurrë nuk i kam parë motrat e mia gjatë periudhës në shkollë”, rrëfen Henry.

Henry thotë se 139 shkollat në mbarë vendin u hapën për t’i mbledhur fëmijët indigjenë.

“Qëllimi ishte të ndryshonin gjuhën, kulturën dhe besimet e tyre. Familja ime nuk i besonte kishës. Ne kishim besimin tonë. Kjo ishte njëlloj sikurse me njerëzit që kishin sjellë nga Afrika. Ata nuk ishin të krishterë dhe kishin besimin e tyre”, u shpreh ai.

Ai thotë se nuk kishte parë asnjë varr gjatë viteve kur kishte qëndruar në shkollën rezidenciale, por shton se gjithnjë flitej për një gjë të tillë.

“Thuhej se kishte varr në zonën e fermës në pjesën e pasme të shkollës. Ne duam që kjo zonë dhe të gjitha shkollat ​​me konvikte në gjithë Kanadanë të skanohen”, theksoi Henry, duke shtuar se pas përfundimit të gjithë procesit, duhet organizuar funeral sipas besimit të tyre indigjen dhe që të gjitha mbetjet mortore të evidentohen.

– “Veprimi i Kanadasë ndaj nesh është gjenocid”

Duke deklaruar se Kisha Katolike dhe shteti kanadez janë përgjegjës për atë që ndodhi në shkollat ​​me konvikt, Geronimo Henry tha: “Ajo që Kanadaja bëri ndaj nesh është gjenocid. Ne duam drejtësi për të gjitha këto që ndodhën dhe për fëmijët tanë. Këto shkolla ishin burg për fëmijët. Ne nuk kemi bërë krim. Ishim vetëm vendas. Kanadaja duhet të akuzohet për gjenocid dhe të mbajë përgjegjësi për të. Falja nuk është e mjaftueshme për atë që ka ndodhur”.

– “Kanadaja masakroi fëmijët tanë me shkollat rezidenciale”

Jacquline House, po ashtu anëtare e Komunitetit Indigjen Six Nations në Brantford, zhvilloi një intervistë për AA-në në kopshtin e shkollës Mohawk, ku ajo erdhi për t’u lutur.

Duke treguar se babai i saj u mbajt gjithashtu në këtë shkollë, House tha se lajmi për varret pa emra të fëmijëve në British Columbia dhe Saskatchewan i ka tronditur thellë.

“Ky lajm na lëndon në zemër. Babai im gjithashtu qëndroi në këto shkolla për vite me radhë. Tani ai nuk mund të flasë gjuhën e tij. Ata ia shpërlanë trurin fëmijëve tanë këtu, ndryshuan identitetin e tyre, shkatërruan kulturën e tyre. Deri në një kohë të afërt, njerëzit mendonin se kishte shkollë, arsim ose mësim rreth civilizimit, dhe i shikonin shkollat me konvikte si diçka normale. Tani të gjithë janë tronditur. Kjo është një masakër. Kanadaja masakroi fëmijët tanë me shkollat rezidenciale. Cilido qoftë shkaku i vdekjes, ata duhet të japin llogari. Ata ishin fëmijë të pafajshëm. Ishte si një luftë e zhvilluar nga Kanadaja kundër fëmijëve tanë”, u shpreh House. /aa