Ngjarjet dramatike nga ferri i luftës në Siri

Shkruan: Mr. Muhidin Ahmeti

Përmes kësaj letre dëshiroj ta ngre lartë zërin tim kundër horrorit që po zhvillohet mbi popullin e Sirisë, veçanërisht mbi banorët e Halepit, të cilët këto ditë po përjetojnë ferrin e luftës së përgjakshme, ndër më të përgjakshmet pas luftës së dytë botërore.

Është një zë dhe thirrje që u drejtohet të fuqishmëve të Planetit, sidomos atyre të cilët kanë interesa gjeostrategjike në atë pjesë të Globit se tashmë i kanë i kapërcyer të gjithë kufijtë e fuqisë, fuqi të cilën e kanë keqpërdorur dhe shndërruar në dhunë dhe terror mbi njerëz të pafajshëm fëmijë, gra dhe burra. Ky zë është i lirë dhe kjo thirrje është morale që buron nga shpirti nën presionin e brejtjes së ndërgjegjes për të kërkuar prej tyre që t’i thërrasin mendjes dhe të mos lejojnë t’i dorëzohen adhurimit të Degjallit (Antikrishtit). Kjo thirrje buron nga Libri i Krijuesit të Universit që i thotë Musait (Mojsiut): “Shko te Faraoni the thuaj se i ka kaluar të gjithë kufijtë”. (K. 76:17)

Ju mbase edhe nuk e besoni Zotin, sepse për këtë që herët pati paralajmëruar filozofi prusian Nietzsche i cili tha: “Zoti ka vdekur”. E kjo do të thotë se ai ka “vdekur” në zemrat tuaja dhe tani po vdes edhe njeriu. Kjo sintagmë nënkupton gjendjen tuaj tragjike shpirtërore.“Ju e humbet çdo orientim metafizikor dhe tani keni vendosur të jetoni pa të” (M. Asad). Ju tashmë e zbuluat fytyrën tuaj të vërtetë të zombive bashkëkohorë, me sytë të përgjakur dhe zemra të vdekura u pini gjakun njerëzve, fëmijëve të pafajshëm, popujve të tërë. Problemi juaj është jeta në errësirë që nuk ju lejon ta ndriçoni mendjen dhe shpirti i vdekur që ju bën të paaftë për dashurinë në zemër. Hijet po zgjaten dhe zërat e çmendurisë po bëhen më të fuqishëm. Përveç atij i cili mund të fitojë turma nga konformizmi, “njeriu është i pasigurt, i paaftë për të dashuruar dhe për të shfrytëzuar arsyen, për të sjell vendime, i adhuron produktet që vet i ka krijuar – udhëheqësit, për të cilët mendon se janë sipër tij e ai vet i ka krijuar, i paaftë ta vlerësojë jetën dhe për këtë arsye është i gatshëm dhe i vullnetshëm për të shkatërruar çdo gjë.”( ErichFromm)

Në vend se ta kuptoni se përparimi juaj dhe rritja e pasurisë dhe e fuqisë suaj është begati e Zotit, ju në çmendurinë tuaj e keni shndërruar atë në qëllim në vetvete dhe objekt adhurimi.

Ju e shndërruat këtë dynja në një teatër absurdidhe sot atë e keni bërë teatër mizorie. Qeveritë demokratike i keni shndërruar në qeveri tmerri, demokratët si timokratë, paranikët opsesivë si çlirimtarë dhe liderë kombëtarë.