Ngërçi në mendimin islam

Hoxhë Halil Avdulli

Ndër rreziqet me të cilat do të ballafaqohet feja është ngërçi intelektual dhe interpretimi i ngurtë tekstual i shkrimeve të fesë, që e bën fenë të mos jetë në koherencë me jetën dhe civilizimin. Siç shprehet Dr. Hassan al-Turabi: “çdo ndalje është vonesë”, pra edhe feja si çdo fenomen në këtë jetë nëse ndalet vonohet, sepse jeta nuk pret askënd, qoftë njeri apo fenomen.
Prandaj, ngërçi intelektual, interpretimi fjalë për fjalë i fesë dhe krijimi i një panorame apo imazhi të caktuar historik si varianti i vetëm i aplikimit të fesë, qoftë ai edhe imazhi i selefit apo ndonjë periudhe tjetër, paraqet rrezik të madh për fenë sepse kjo bën që feja të mbetet pas jetës, dhe kësisoj i bënë njerëzit të kërkojnë burime frymëzimi jashtë fesë.
Përzierja e elementit hyjnor si diçka e shenjtë dhe përhershme me elementin historik të ndryshueshëm me mundësi gabimi është një nga rreziqet më të rëndësishme dhe më fatale qe i ka përballur fetë dhe ka bërë që disa prej tyre të zhduken në epokën moderne.
Çdo interpretim i fesë, veçanërisht i feve qiellore, duhet të bazohet në një ndarje të qartë midis elementit hyjnor statik dhe elementit të ndryshueshëm historik. Fatkeqësisht, kultura një pjesë të predikuesve dhe muslimanëve në përgjithësi, sidomos në botën muslimane sot, bëjnë përzierje të pa përballueshme mes fesë në njërën anë dhe historisë në anën tjetër, duke konsideruar shumë veprime të muslimanëve apo liderëve të tyre në histori, sikur të ishin shpallje.

Hoxhë Halil Avdulli