Nga sekretet e botës së krijimit

Shpeshherë ndodh që ne flasim për terma si “ndërgjegjja”, “natyrshmëria”, “shpirti”, “nefsi”, etj. Duke qenë se këto nocione janë abstrakte, njohja e tyre në mënyrë të saktë jashtë kornizës së Kuranit është e pamundur. Dhe arsyeja është shumë e thjeshtë, sepse mendja e njeriut, pavarësisht zhvillimit dhe përparimit shkencor, do të mbetet e paaftë për të kuptuar thelbin e aspektit abstrakt të krijimit.

Shpirti dhe Nefsi

Tek shumica e myslimanëve ekziston një konfuzion rreth kuptimit të nocionit të “shpirtit – ruh” dhe “nefsit”. Çdo studiues paraqet pikëpamjen dhe interpretimin e tij mbi këto nocione sipas perceptimit të tij. Sakaq e vërteta është krejtësisht ndryshe, pasi këto nocione nuk mund të kuptohen vetëm se nën dritën e tekseve hyjnore dhe duke medituar rreth tyre. Dhe si rrjedhojë përpara nesh do të na shpaloset kuptimi i duhur i këtyre nocioneve pa më të voglin dyshim apo hamendësim.

Kurani Fisnik e ka bërë të qartë se nefsi i përket botës së krijimit: “Ai ju krijoi prej një nefsi të vetëm dhe prej tij krijoi çiftin e tij”[1] ndërsa shpirti i përket botës së urdhrit: “Të pyesin për shpirtin; thuaj: Shpirti është prej urdhrit të Zotit tim”[2]. Kjo tregon se ato i përkasin dy botëve krejtësisht të ndryshme, botës së krijimit dhe botës së urdhrit, ashtui sikur lexojmë në një ajet kuranor:  “Vetëm Atij i përkasin krijimi dhe urdhri.”[3] Po ashtu, Kurani ka sqaruar se si nefsi, ashtu edhe shpirti janë të krijuara: “Dhe Allahu është Krijuesi i çdo gjëje.”[4]

Bota e krijimit është ajo që përbëhet nga proceset e krijimit fizik dhe material: “Ne krijuam për ta nga ato që i bënë duart Tona, kafshë shtëpiake.”[5] Bota e krijimit është një botë që kërkon ekzistencën e shkaqeve dhe ndikimeve. Për shembull, krijimi ynë kushtëzohet nga prania e prindërve dhe kalimi përmes fazave të caktuara: “Ai ju krijoi prej një nefsi të vetëm dhe prej tij krijoi çiftin e tij, dhe prej tyre shpërndau shumë burra dhe gra.”[6]

Kurse përsa i përket botës së urdhrit, ajo është bota e krijimit me fjalë, sipas fjalës së Allahut të Lartësuar: “Bëhu”, siç thuhet: “Kur Ai dëshiron diçka, urdhri i Tij është vetëm të thotë: Bëhu! Dhe ajo bëhet.”[7] Po ashtu: “Shembulli i Isait te Allahu është si ai i Ademit; e krijoi nga dheu, pastaj i tha: Bëhu! Dhe ai u bë.”[8] Kjo do të thotë se ajo është një botë që ekziston menjëherë, pa qenë e nevojshme prania e shkaqeve dhe ndikimeve për të ndodhur.

Ashtu si krijesat janë të ndryshme dhe të shumta në botën e krijimit, po ashtu ato janë të ndryshme edhe në botën e urdhrit. Kjo shpjegon pse termi “shpirt” përmendet me kuptime të ndryshme në Kuranin Fisnik.

Në lidhje me “nefsin” njeriu ka aftësinë të kontrollojë atë: “Ka shpëtuar ai që e ka pastruar veten, dhe ka dështuar ai që e ka poshtëruar atë”[9], kurse në lidhje me “shpirtin” ai nuk ka asnjë lloj kontrolli dhe fuqie: “Thuaj: Shpirti është nga urdhri i Zotit tim.”[10]

Nefsi i njeriut do ta shijojë vdekjen “Çdo shpirt do të shijojë vdekjen”[11] dhe do të vdesë “Ti do të vdesësh dhe ata gjithashtu do të vdesin.”[12] Kurse përsa i përket shpirti ai merret. Siç përmendet në një hadith: “Allahu i merr shpirtrat tuaj kur dëshiron dhe i kthen ato kur dëshiron… pastaj tha: O Bilal, ngrihu dhe thirri njerëzit për namaz.”[13] Sigurisht, në një etapë të ekzistencës shpirti do të zhduket: “Çdo gjë do të zhduket, përveç Fytyrës së Tij”[14]

Nëse këto dy nocione nuk perceptohen drejt, rrjedhimisht edhe njohja e të vërtetës mbi krijimin e njeriut do të mbetet e paplotë. Kjo sepse shpirti është përbërësi i fundit i krijimit të njeriut “Kur ta kem përsosur atë dhe t’i kem fryrë nga Shpirti Im”[15] E Profeti (a.s) thotë:“Engjëlli vjen dhe i fryn shpirtin.”[16]

Këtu duhet të theksohet që nuk duhet të ngatërrohet shpirti me vetëdijen, e cila gjithashtu i përket botës së urdhrit. Të gjitha krijesat pa përjashtim kanë vetëdije “Çdo krijesë e di lutjen dhe lavdërimin e saj”[17] Apo siç thuhet: (Nuk mund të ekzistojë dijenia pa vetëdije). Ndërsa disa prej krijesave kanë shpirt, ku vetëdija tek këto krijesa nuk mund të ekzistojë pa praninë e shpirtit.

Autor: Muhamed Shemsudin El Kerdi

Përktheu: Elton Harxhi

[1] – Sure Nisa: 1.

[2] – Sure Isra: 85.

[3] – Sure A’raf: 54.

[4] – Sure Zumer: 62.

[5] – Sure Jasin: 71.

[6] – Sure Nisa: 1.

[7] – Sure Jasin: 82.

[8] – Sure Ali Imran: 59.

[9] – Sure Shems: 9 – 10.

[10] – Sure Isra: 85.

[11] – Sure Ali Imran: 185.

[12] – Sure Zumer: 30.

[13] – Buhariu.

[14] – Sure Kasas: 88.

[15] – Sure Sad: 72.

[16] – Buhariu dhe Muslimi.

[17] – Sure Nur: 41.