Ballina Uncategorized Nga përvoja ime në edukim, ju sjell këto reflektime edukative

Nga përvoja ime në edukim, ju sjell këto reflektime edukative

Abdulkerim Bekkar

Në udhëtimin tim intelektual dhe edukativ, kuptova se edukimi nuk është një seri urdhrash, as një grup këshillash të thata, por një ndërveprim i thellë njerëzor dhe një lidhje zemre e bazuar në dashuri, mirëkuptim dhe shembull personal.

Prandaj, dëshirova të ndaj me ju një grup reflektimesh praktike edukative, që mund t’i jetojmë çdo ditë me fëmijët tanë, larg mënyrës së zakonshme të predikimit, dhe me një shpirt bashkëpunues ku vlerat rriten natyrshëm dhe butësisht.

1. Mbjellim vlerat pa shumë fjalë

Disa vlera nuk kërkojnë leksione, por një qëndrim të thjeshtë dhe një reagim të sinqertë.

Kur i shohim fëmijët tanë duke ndihmuar, mund të themi me qetësi:

“Ky quhet bashkëpunim, dhe është një virtyt i madh.”

Në këtë mënyrë, vlera lidhet me veprimin, jo vetëm me fjalën.

2. Pyesim në vend që të urdhërojmë

Shpesh themi: “Rregullo dhomën tënde”, dhe përballemi me refuzim ose ankesa.

Por nëse themi:

“A dëshiron ta kesh dhomën të rregullt? A të fillojmë së bashku?”

Hapim derën për reflektim, jo për kokëfortësi.

3. Mësojmë bashkë atë që na bën dobi

Çdo ditë zgjedhim së bashku një ajet, hadith ose një thënie të urtë.

“Sot do të mësojmë: ‘Kush nuk falënderon njerëzit, nuk falënderon as Zotin’, dhe do të mendojmë si ta jetojmë këtë.”

Mësimi këtu bëhet shoqëri, jo imponim.

4. Vëzhgojmë, nuk gjykojmë

Nëse fëmija gabon, mos nxitojmë ta qortojmë.

E pyesim: “Çfarë ndodhi? Si u ndjeve? Çfarë mund të kishe bërë ndryshe?”

E ndihmojmë të shohë veten, jo të fshihet prej saj.

5. Caktojmë kohë për biseda

Para gjumit ose gjatë rrugës, e pyesim:

“Cili ishte momenti më i bukur sot? Çfarë të shqetësoi më shumë?”

E dëgjojmë pa e ndërprerë. E përqafojmë, nuk e korrigjojmë.

6. Edukojmë me dashuri, jo me frikë

Kur fëmija gabon, i kujtojmë dashurinë tonë për të, jo zemërimin tonë.

“Ti je shumë i vlefshëm, dhe gabimi yt nuk ul vlerën tënde. Por do të mësojmë prej tij.”

7. Ndajmë përgjegjësitë

Nuk japim urdhra nga larg, por fillojmë së bashku.

“Hajde ta palosim rrobat. Hajde ta rregullojmë raftin. Çfarë mendon ta bëjmë këtë si ekip?”

Kur bashkëpunojmë, lind dashuria dhe rutina e shëndetshme.

8. Vlerësojmë sjelljen, jo vetëm personin

Në vend që të themi: “Je i zgjuar”, themi:

“Më pëlqeu mënyra si e zgjidhe këtë problem.”

Kështu, vlerësimi lidhet me përpjekjen, duke nxitur përmirësimin e vazhdueshëm.

9. Mësojmë durimin nga detajet e përditshme

Kur presim në radhë ose në semafor, themi:

“Kjo është një mundësi për të mësuar durimin. A provojmë të numërojmë pesë mirësitë rreth nesh?”

10. Edukojmë me shembull

Nuk u kërkojmë fëmijëve qetësi ndërsa bërtasim vetë.

Nuk i nxisim të lexojnë ndërsa ne vetë nuk lexojmë.

“Shembulli nuk është një leksion, por një jetë që ata e jetojnë me ne.”

11. Festojmë përparimin, jo përsosmërinë

Kur fëmija përmirësohet sado pak, e vëmë re:

“Më pëlqeu si u përpoqe sot të kontrolloje zemërimin tënd. Shumë mirë.”

Kështu edukojmë shpirtin për përpjekje, jo për perfeksion.

12. I kërkojmë leje siç dëshirojmë që të na kërkohet

Para se të hapim çantën ose të lexojmë diçka personale, pyesim:

“A më jep leje?”

Një fëmijë që respektohet, mëson të respektojë të tjerët.

13. Mësojmë që gabimi është i natyrshëm

Them: “Gabimi nuk na frikëson, na mëson. Të gjithë gabojmë; më e rëndësishmja është të mësojmë prej tij.”

Kështu krijojmë një hapësirë për përvojë dhe zhvillim, jo për frikë dhe tërheqje.

14. Emërtojmë ndjenjat, nuk i shtypim ato

Kur qan, i themi:

“E kuptoj që je i mërzitur, ose ndoshta i zemëruar, kjo është normale.”

I ndihmojmë të kuptojë emocionet, jo të ndihet në siklet prej tyre.

15. I japim kuptim edukimit

I kujtojmë vetes se edukimi nuk është një detyrë për t’u kryer, por një udhëtim që e bëjmë së bashku.

“Çdo moment që kalojmë me fëmijët tanë është një mundësi për të ndërtuar një njeri të balancuar, dashamirës dhe të frytshëm.”

16. Zgjedhim fjalët me kujdes

Kur gabojmë në shprehje, kërkojmë falje dhe e riformulojmë fjalinë me butësi.

“Desha ta shpjegoja më mirë. Le të përpiqem sërish.”

Fëmija mëson nga mënyra jonë e të folurit, para se të mësojë fjalët tona.

17. I përfshijmë në vendimmarrje

Kur mendojmë për një ndryshim në familje, ua kërkojmë mendimin.

“Çfarë mendoni nëse e zhvendosim tryezën këtu? Ju pëlqen kjo ide?”

Pjesëmarrja krijon ndjenjën e përkatësisë.

18. Lidhem çdo virtyt me një sjellje të përditshme

“Sinqeriteti” nuk është një ide për ta mësuar përmendësh, por një situatë kur fëmija pranon gabimin e tij.

Themi: “Kjo është ndershmëria për të cilën kemi folur.”

Kështu lidhim parimin me realitetin.

19. Inkurajojmë, nuk krahasojmë

Nuk themi: “Vëllai yt është më i mirë se ti”, por themi:

“Po shoh se po përpiqesh, dhe kjo është e mrekullueshme. Vazhdo kështu.”

Krahasimi e zbeh shpirtin, inkurajimi e ndez entuziazmin.

20. Besojmë që çdo fëmijë është i ndryshëm

Çdo fëmijë ka mënyrën dhe ritmin e vet për të kuptuar dhe për t’u zhvilluar.

E ulim nivelin e pritshmërive dhe e rrisim dashurinë.

“Fëmija yt nuk i ngjan askujt tjetër, ndaj mos e krahaso.”

Dr. Abdul Kerim Bekkar

Exit mobile version