Nga nesër qytetarët mund të lëvizin lirshëm 24 orë

Masat kufizuese në Kosovë do të lehtësohen edhe më tutje duke filluar nga nesër, (e hënë 8 qershor).

Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, gjatë një konference për media, dje ka njoftuar se nga e hëna qytetarët kanë të drejtë lëvizjeje 24 orë. Po ashtu ai ka thënë se kushdo që hyn në Kosovë nuk do të karantinohet.

Ata vetëm do të kontrollohen nëpër kufij apo qendra të tjera.

Zemaj po ashtu ka bërë të ditur se nga e hëna të gjithë qytetarët që vijnë nga Shqipëria nuk kanë nevojë të hyjnë në vetizolim.

Më poshtë mund të lexoni adresimin e plotë të ministrit Zemaj, ku tregohet për lehtësimin e masave:

Kontrollin e detajuar mjekësor për të gjithë udhëtarët që hyjnë në Republikën e Kosovës, duke marrë shënimet e sakta të vendqëndrimit në Kosovë (adresa dhe numri i telefonit) për përcjelljen e gjendjes së tyre klinike nga QKMF të komunave përkatëse.

Kontrolli i detajuar kryhet sipas udhëzuesve të OBSh, që konsiston në matjen e temperaturës, shenjat dhe simptomat klinike si dhe kontaktet e eventuale të dy javëve të fundit me persona pozitiv ose persona të dyshimtë në COVID-19.

Prandaj, bazuar në këto rekomandime:

Që nga dita e hënë, 8 qershor 2020, qytetarët të cilët hyjnë në Republikën e Kosovës nga cili do shtet nuk do t’i nënshtrohen masës së vet-izolimit shtëpiak 7 ditor.

Ndërsa, në vend të testimit të obliguar për Covid -19 për ata që hyjnë, do të jetë masa e kontrollit nga ekipet mjekësore të QKMF-ve të vendosura në pikat kufitare apo edhe në vet QKMF-të brenda komunave.

Bazuar në situatën epidemiologjike, MSh do të mundësojë liri të plotë të lëvizjes e qarkullimit të qytetarëve dhe mallrave në veçanti me Republikën e Shqipërisë, derisa kemi adresuar edhe kërkesat e shumë studentëve dhe qytetarëve të komunave nga Lugina e Preshevës, në mënyrë që edhe ndaj tyre të mos aplikohen kufizime që ju paraqesin pengesa për lëvizje të lirë me Kosovën.

Gjithashtu, nga dita e hënë hiqet edhe kufizimi i lëvizjes nga ora 21:00-05:00.

Ministria e Shëndetësisë bashkë me IKSHPK-në do të vazhdojnë të përcjellin situatën epidemiologjike dhe të mbështes institucionet shëndetësore.

Por, kërkojmë që të zbatohen me përpikëri rekomandimet duke qenë se akoma nuk ka kaluar rreziku dhe shfaqja e rasteve të reja si pasojë e moskujdesit, mund ta mbingarkojë sistemin shëndetësor me pasoja të paparashikuara që do të çonin në rritje të numrit të rasteve dhe rrezik për jetën e qytetarëve.

Kërkojmë që në mënyrë rigoroze të respektohen masat mbrojtëse duke respektuar në mënyrë strikte distancimin fizik, përdorimin e maskave, dezinfektimin dhe ajrosjen e ambienteve shtëpiake dhe të punës, duke pamundësuar përhapjen eventuale të infeksionit.

Prandaj, kërkojmë nga qytetarët, bizneset, gastronomia dhe sektorët e tjerë që në mënyrë strikte të respektojnë këto masa me qëllim që të shkojmë para me lehtësime të tjera.

Inspektorati Sanitar i AUVK-së dhe Inspektoratet komunale duhet patjetër të zbatojnë Ligjin per Inspektoratin dhe Ligjin për parandalimin e sëmundjeve ngjitëse dhe të merren masa përgjegjësie në rast të mos zbatimit eventual të rekomandimeve të Institutit Kombëtar.

Çdo shkelje e rregullave nga kushdo do të konsiderohet rrezikim i shëndetit dhe jetës së të tjerëve.

Nuk ka të drejtë askush të rrezikoj jetën e të afërmve të tyre, të moshuarve dhe personave me sëmundje kronike për shkak të pakujdesit dhe mos zbatimit të rekomandimeve.

Çdo hap përpara që bëjmë, bartë edhe rrezikun me vete derisa virusi është ende në mesin tonë. Ta ruajmë këtë situatë të qëndrueshme duke pasur parasysh situatë më të rënduar epidemiologjike në shumë shtete të botës.

Me që jemi në sezonin veror, zbatimi i masave ka rëndësi të veçante ashtu që të krijohen mundësitë që të përballojmë edhe fluksin e madh të bashkë-atdhetarëve, të cilët gjatë verës vijnë në Kosovë.

Prandaj, po kërkojmë kujdes, lehtësimi i masave gjithsesi duhet të përcillet me rritje të disiplinës në zbatimin e tyre, pasi që akoma ekziston rreziku i përhapjes në vendet ku ka grumbullim të madh të njerëzve. Lehtësimi i masave është bërë për të na bërë më të përgjegjshëm.

Sakrificën tone për të ruajtur shëndetin e konsiderojmë si vlerë sublime, prandaj të vazhdojmë të punojmë së bashku për këtë qëllim.

Profesori Naser Ramadani ndërkaq, theksoi se IKSHPK po vazhdon me testime në popullatë me qëllim të zbaulimit të rasteve me Covid-19 dhe parandalimit të përhapjes së virusit.

Exit mobile version