Mund ta njihni me emrin sultjash e ta keni përgatitur e shijuar shumë herë.
Ama AgroWeb.org ju tregon sot si e përgatisin këtë recetë tradicionale viset më veriore të vendit tonë.
Kjo ëmbëlsirë në qytetet veriore quhet tambëloriz, dhe konsiderohet një ëmbëlsirë verore.
Tambëlorizi zakonisht në këto zona përgatitet për festa të ndryshme familjare.
Përbërësit
2 litra qumësht
3 filxhanë kafe oriz
1 gotë sheqer
Përgatitja
Si fillim AgroWeb.org ju sugjeron që të shpëlani me ujë të bollshëm orizin.
Ky hap është i rëndësishëm në mënyrë që të largoni niseshtenë e tepërt që përmban ky produkt.
Përsëriteni tre herë si veprim për të patur një rezultat sa më të mirë.
Për t’ju ndihmuar mund të përdorni sitën e miellit kështu mund ta pastroni pa u munduar.
Ndërkohë në një tenxhere keni kaluar qumështin dhe e keni vendosur për ta zier.
Për këtë recetë mund të përdorni llojin e qumështit tuaj të preferuar.
Qumështi duhet të ziejë ngadalë në mënyrë që të avullojë sa më mirë dhe të mbetet kremoz.
Kur të shihni bulëza të formohen në sipërfaqen e tenxheres është koha për të shtuar orizin.
Në fillim AgroWeb.org ju këshillon që ta përzieni mirë në mënyrë që kokrrat e orizit të mos bien në fund të tenxheres.
Diçka e tillë shmang ngjitjen e orizit dhe hidhërimin e ëmbëlsirës.
Temperatura e zjarrit duhet të jetë e ulët dhe qumështi me orizin duhet të ziejë për gati 1 orë.
Përzierja duhet të vazhdojë gjatë gjithë kohës derisa të shihni që qumështi ka filluar të mpikset e të trashet.
Kur keni arritur në këtë pikë, AgroWeb.org ju sugjeron që të shtoni sheqerin dhe ta lini në zjarr edhe për 10-15 minuta të tjera.
Pasi ta largoni nga zjarri ndajeni në tasa të vegjël dhe lërini të ftohen plotësisht.
Kur të jenë ftohur futini në frigorifer në mënyrë që të mpikset sa më mirë.
Para se t’i shërbeni spërkatini sipër me reçel sipas dëshirës për një shije më unike. /AgroWeb.org