Ninka Petroviq, ushtar në Batalionin e Baqkës:
“Ka qenë mesi i muajit nëntor [1915] kur u larguam nga Prizreni. Para se të niseshim, nga furra e ushtrisë morëm nga një bukë që ishte ende e nxehtë dhe me vërejtje të nënoficerëve: kjo është sa ju takon për katër ditë, për tërë rrugën nëpër Shqipëri …
Shkonim rrugës për Kullë të Lumës. Shiu na sulmonte pa mëshirë, të ftohtit na depërtonte deri në asht. Vazhdonim ashtu të lagur… Ditët e nëntorit ishin të shkurtëra dhe gjithnjë e më të vështira. Me orë të tëra ngjiteshim e lëshoheshim nga kodra në kodër sa që na dukej se kur kalonim në tjetrën, mund ta mbërrinim me gjuajtje të gurit kodrën tjetër. Askund nuk i shihej fundi këtyre vuajtjeve tona nëpër kodrat e Shqipërisë…
Ditën e katërt më në fund dolëm në rrugën për Peshkopi. Natyra dukej disi më e butë dhe më e banuar. U takuam me vendasit. Nuk na shikonin me kujdes, por kalonin me qetësi. Nuk mundeshin ndryshe. Diku-diku bartnin ndonjë ushqim që të na e shisnin. Dardha gjysmë të egra dhe molla të tharta. Dikund edhe copa buke të misrit me djath të fortë. Por, për pagesë kërkonin ari ose argjend. Ose plaçka – rroba për vete. Me sy të uritur ne e shikonim ushqimin dhe kalonim kurse ata me sy edhe më të uritur dhe tinëz i shikonin pushkët tona, por nuk ua merrte mendja të kërkonin që t’i ndërronim me ushqim”.
Ikja e ushtrisë serbe nga Kosova nëpër Shqipëri për të arritur në Korfuz, nuk ka qenë kaq e lehtë siç përshkruhet më sipër. Autori i ditarit flet edhe për rastet tjera kur shqiptarët i sulmonin kolonat e ushtrisë serbe. Veqanërisht ai flet për një rast në Blinishtë, afër Shën Gjinit, kur disa qindra shqiptarë të armatosur e kishin detyruar një pjesë të konsiderueshme të ushtisë serbe që praktikisht të kapitulonte. Kjo ushtri, sipas ditarit të këtij ushtari, u lejua të vazhdonte rrugën vetëm kur ua dorëzoi shqiptarëve tërë kafshët tërheqëse (qetë dhe kuajt) së bashku me përgatitjet e oficerëve dhe një pjese të armatimit rezervë.
Kur ishin sulmuar në Kosovë, sipas ditarit, shqiptarët frymëzoheshin nga hoxhallarët kurse në Shqipëri nga priftërinjtë, sidomos françeskanë dhe kjo bëhej në shenjë të hakmarrjes për fshatrat e djegura gjatë luftërave ballkanike. ‘Këta, në vend të dashurisë, mbjellnin urrejtje’ – thotë ushtari Petroviq për priftërinjtë në Shqipëri.
Sidoqoftë, ditari i tij nuk është botuar në tërësi edhe pse duket tejet interesant. Disa historianë serbë kanë cituar dhe interpretuar disa pjesë. Ditari gjendet në arkivin e Akademisë Serbe në Beograd dhe nga fakti që nuk është botuar, ekziston ndonjë problem me përmbajtjen, e cila ndoshta cilësohet si e papërshtatshme për trendin e historisë serbe.
Ushtari apo autori Ninka Petroviq ka qenë avokat i njohur dhe pasi që ishte përkrahës i komunistëve, pas Luftës së Dytë Botërore (1946-1947) ka qenë zëvendës prokuror i Jugosllavisë dhe kryetar i parë i Beogradit i zgjedhur me vota. Më vonë ai është zhdukur nga politika dhe nga qarqet intelektuale dhe politike serbe është cilësuar si kontravers, dhe si i tillë, i papërshtatshëm. Pak vite para se të vdiste (1981) e ka dorëzuar këtë ditar dhe shënime tjera në arkiv.
Nga: Daut Dauti