Ballina Autorë Opinione Nga Besa ISMAILI*: Fati i Kosovës në Ballkan, çelësi i stabilitetit në...

Nga Besa ISMAILI*: Fati i Kosovës në Ballkan, çelësi i stabilitetit në Evropë (publikuar nga Euronews)

Si kandidate parlamentare në zgjedhjet e 6 tetorit në Kosovë, unë kam ardhur me qëllim që t’u jap zë të margjinalizuarve, të rinjve, grave dhe minoriteteve, duke i vendosur në krye të axhendës politike. Por si anëtare e parlamentit, po ashtu dua t’i korrigjoj mitet narrative për Kosovën, të cilat po ndalin përparimin e saj drejt integrimit në BE.

Zgjedhjet e parakohshme po zhvillohen pasi Kryeministri Ramush Haradinaj dha dorëheqje pas njoftimit të një hetimi ndërkombëtar për krimet e luftës të kryera nga shqiptarët e Kosovës.

Edhe pse hetimet e tilla janë aprovuar nga Kuvendi i Kosovës, për shumë prej qytetarëve ky hetim konfirmon paragjykimin diskriminues të Evropës ndaj Kosovës dhe popullit të saj. Njëmbëdhjetë vjet pas shpalljes së pavarësisë, katër vende të mëdha evropiane ende nuk e njohin Kosovën si shtet, duke i shkaktuar pengesë në përpjekjet për t’u integruar në organizatat evropiane dhe botërore.

Kosova është i vetmi vend në Ballkan, qytetarët e së cilës ende u kërkohet të marrin vizë për të hyrë në Zonën Shengen. Më 14 qershor 2012, Kosova mori udhërrëfyesin e saj të shumëpritur për liberalizimin e vizave, por asgjë nuk është konkretizuar. Kundërshtitë vijnë nga disa shtete anëtare të BE-së, veçanërisht nga ato që ende nuk e kanë njohur Kosovën si një vend të pavarur.

Shumë në Kosovë dyshojnë se ky skepticizëm është për shkak se Kosova është vend me shumicë myslimane, më shumë sesa për shkak i mos përmbushjes së kritereve. Për shembull, Kosova miratoi Marrëveshjen e Demarkacionit me Malin e Zi nën një presion të madh nga bashkësia ndërkombëtare. Komisioni Evropian e kishte renditur ratifikimin e kësaj marrëveshje si një kusht kryesor për dhënien e një regjimi pa viza në Kosovë. Por, përkundër përpjekjeve, kjo nuk ka ndodhur.

Nga ana tjetër, pajtimi midis Serbisë dhe Kosovës duket si perspektivë e largët. Ndërsa dialogu i lehtësuar nga BE midis dy shteteve në Bruksel ka dhënë shumë marrëveshje, zbatimi i tyre konkret gjithashtu po stagnon.

Një përplasje e madhe me BE-në shpërtheu kur kryetari i parlamentit të Kosovës, Kadri Veseli, nënshkroi në ligj një vendim nga ligjvënësit për të miratuar Statutin e Trepçës, duke ringjallur një pasuri industriale thelbësore për ekonominë e Kosovës. Gjatë performancës së saj kulmore në kohën kur ishte nën Jugosllavi, miniera e Trepçës dhe kompleksi i shkritores përbënin dy të tretat e prodhimit ekonomik të Kosovës ku u punësuan 20,000 njerëz. Serbia është zotuar t’i rezistojë masës, ndërsa BE ka thënë se pronësia e kompanisë Trepça duhet të jetë pjesë e një marrëveshje detyruese me Serbinë nën negociata në Bruksel, një pikëpamje që ngjall valë të mëdha pakënaqësish ndaj BE-së në Kosovë.

Ndërkohë, Rusia po ushtron vazhdimisht aktivitete që nxisin tensione në Ballkan në përpjekje për të çimentuar ndikimin e saj si faktor rajonal. Në fillim të këtij viti, zëdhënësja e ministrisë së jashtme ruse, Maria Zakharova, e përshkroi Kosovën si një “territor të rrezikshëm, të pakontrolluar në qendër të Evropës”. Dhe jo më larg se në shtator, përfaqësuesi i Organizatës Ruse për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) e përshkroi Kosovën si një “entitet kuazi-shtetëror” dhe “një dështim”.

Nuk është rastësi atëherë që ideologjitë trans-atlantike të së djathtës ekstreme shpesh shtrembërojnë historinë e Kosovës dhe problemet e saj. Ato promovojnë një mit të rrezikshëm që i përshtatet teorisë se “Zëvendësimit të Madh”, i cili pretendon se “evropianët” e krishterë të bardhë po zëvendësohen nga “muslimanët”, një pretendim të cilin ata e ndërtojnë mbi tensionet etnike në Ballkan.

Nëse duam të stabilizojmë Ballkanin dhe të mbrojmë projektin Evropian, natyra fshehtë e këtij diskursi duhet të sfidohet.

Gjatë kohës që kur pjesë e ish-Jugosllavisë, faktori kryesor destabilizues në Kosovë mbi të gjithë të tjerët ishte margjinalizimi i kosovarëve, pabarazia e shfrenuar dhe moskujdesi ndaj nevojave të njerëzve të rëndomtë.

Margjinalizimi i Kosovës nga BE bashkon gjithë sfidat me të cilat përballemi, duke nisur nga nacionalizmat e rrezikshme deri te ndërhyrja ruse, duke dëmtuar përpjekjet për përparim, stabilitet dhe siguri.

Për këtë arsye, pasi të jem zgjedhur si deputete, kam në plan që zërat e margjinalizuar t’i bëj të dëgjohen.

Synimi im është që të shqyrtoj gjithë legjislacionin e duhur për të mbrojtur të drejtat e grupeve të cenuara, personat me aftësi të kufizuara, pakicat etnike, nënat që punojnë, nënat që qëndrojnë në shtëpi, gratë e nënpërfaqësuara nga fshatrat, si dhe të papunët.

Do të vazhdoj punën time në pajtimin e grupeve etnike dhe riintegrimin e numrit shumë të madh të viktimave të konfliktit të dhunshëm në Kosovë, siç janë të mbijetuarit e dhunës seksuale ku numërojmë rreth 20,000 gra.

Do të punoj bashkë me kolegët e mi në Parlament  për të ndërtuar një shoqëri më kohezive dhe gjithëpërfshirëse për të gjithë në Kosovë; qoftë mysliman, i krishterë, shqiptar apo serb, apo më gjerë. Por kosovarët nuk mund ta arrijnë këtë synim si të vetëm.

Evropa duhet të shtojë përkrahjen për zgjidhje gjithëpërfshirëse dhe t’i konsideroj si të jolegjitime elementet që nuk u përkasin vlerave tona të përbashkëta si respektimi i dinjitetit dhe të drejtave të njeriut, liria, demokracia, barazia dhe sundimi i ligjit. Dhe po, Evropa duhet të kundërshtoj diskriminimin e bazuar në përkatësinë etnike dhe religjioze edhe më intensivisht.  Kjo është e vetmja rrugë drejt paqes dhe prosperitetit të qëndrueshëm në mbarë Ballkanin.

*Besa Ismaili është kandidate për deputete për Partinë Demokratike të Kosovës. Ajo është profesoreshë e gjuhës angleze në Fakultetin e Studimeve Islame në Prishtinë, ish-trajnere dhe përkthyese në departamentin e demokratizimit të OSBE-së. 

Exit mobile version