Ndërkohë që “Ballkani i Hapur” ka funksionuar mjaft mirë për ta dëmtuar Kosovën dhe për ta trimëruar Maqedoninë e Veriut, nuk ka mundur të japë frutat e veta si kalë troje i Beogradit në Bosnjë për shkak të refuzimit të Sarajevës për t’u përfshirë, edhe pse e ka ndihmuar dhe ngushëlluar rishfaqjen e radikalizmit serb në Bosnje.
Shkruan: Ardian MUHAJ, Shkodër
“Ballkani i Hapur” u lajmërua i mbyllur përmes deklaratës në dukje të papritur të kryeministrit Rama, i cili tha se kjo nismë tashmë ka marrë fund dhe se të gjitha energjitë tash e mbrapa do të përqendrohen drejt Procesit të Berlinit. Kjo deklaratë, në të vërtetë, lajmëroi përmbylljen e tranzicionit mes dy situatave gjeopolitike ose dy periudhave faktike ose hipotetike, por të mundshme. Situata normale gjeopolitike do të duhej të ishte kështu:
Beogradi mes BE-së dhe shqiptarëve
Ideatorët e Ballkanit të Hapur nuk e kanë kuptuar mbase paradoksin e termit. Vetë pozita gjeostrategjike e shqiptarëve është e tillë, e hapur, shekuj përpara se t’i shkrepej dikujt në Beograd të na e mvishte etiketën e të hapurve. Një nga pikat më të forta të kësaj pozite gjeostrategjike është dalja e Shqipërisë në Detin Mesdhe përmes dy deteve, Adriatik e Jon, në një vijë bregdetare të gjerë dhe me porte të shumta.
Në të kundërtën, Serbia jo vetëm që nuk ka dalje në det, por edhe segmenti i Danubit që kalon nëpër Serbi është i rrethuar nga të gjitha anët nga vende që janë njëkohësisht në BE dhe në NATO. Në këtë mënyrë, e mbyllur gjeografikisht ndërmjet BE-së dhe shqiptarëve, Serbia nuk ka zgjidhje tjetër, përveçse të mbajë me çdo kusht hapur rrugët ekonomike e gjeopolitike. Kjo mbyllje e natyrshme gjeostrategjike e detyron Serbinë të drejtohet nga shqiptarët për ndihmë, për të lehtësuar pasojat negative që ka ky izolim ekonomik dhe gjeostrategjik. Mënyra e vetme për ta lehtësuar këtë izolim të Serbisë, që në fakt është vetizolim, ndërmjet BE-së dhe shqiptarëve është që të hapet pjesa më e dobët e rrethimit, pra shtetet shqiptare. Pa dalje në det të hapur, e rrethuar ngado me shtete të BE-së dhe akoma edhe më ngushtë nga vende anëtare të NATO-s, me Danubin po ashtu të mbyllur dhe në BE, Serbia ka shpejtuar të sigurojë mbajtjen e opsioneve të hapura përmes shteteve shqiptare dhe këtë derë shpëtimi Tirana është përpjekur me çdo kusht t’ia hapë.
Tirana zyrtare, me dëshirë të madhe, ka sakrifikuar edhe afrimin me BE-në duke u përpjekur të zbusë efektet negative që ka për Serbinë izolimi. Pa bashkëpunimin e Tiranës zyrtare, Serbia do të vendosej në një izolim të tillë, që do të detyrohej të pranonte çdo kusht të Brukselit, Uashingtonit ose edhe të Prishtinës në lidhje me njohjen e Kosovës. Pas sigurimit të kësaj daljeje, Serbia tashmë është në gjendje t’i bëjë karshillëk Brukselit dhe paradoksalisht të na përdorë edhe ne shqiptarëve, duke na e shndërruar bamirësinë tonë në bumerang.
Mirëpo, akoma edhe më tragjike është se që Serbia të mos izolohet tërësisht, është e domosdoshme që Shqipëria të mos anëtarësohet në BE. Arsyeja pse Shqipëria nuk duhet të anëtarësohet në BE është e lidhur me arsyen pse Serbia nuk mund ose më saktë nuk dëshiron të anëtarësohet në BE. Sepse, Serbia ka ca gjëra për të rregulluar ballkanikçe, që pastaj të bëhet e denjë për Europën. Pra, ka synime të afërta, imediate nacional-shoviniste në rajon, të cilat nuk i sakrifikon për integrimin europian.
Tirana, për fatin e mirë të serbëve, duket se po bën çmos që ta shpëtojnë Serbinë nga ky izolim ekonomik dhe gjeostrategjik. Për fatin e keq tonin duket se këtë ndihmë po ua ofrojmë pa asnjë kusht dhe me gjithë zemër. Po shndërrojmë në prioritet tonin prioritetin e Serbisë, po e sakrifikojmë edhe vokacionin tonë europian për hatër të Serbisë. Nuk po e vrasim mendjen as për Korridorin VIII, as për Korridorin X, por po i japim përparësi një korridori të panatyrshëm që i orienton dhe i lidh shqiptarët me Shumadinë e Vojvodinën. Kështu, ngadalë e pa e kuptuar, kemi mbërritur tek situata e sotme gjeopolitike, e panatyrshme dhe natyrshëm e dëmshme për ne:
Tek shqiptarët mes Brukselit dhe Beogradit!
Deklarata e kryeministrit Rama, në fakt, ishte e pritshme dhe e paralajmëruar. “Ballkani i hapur” ka qenë nismë për rikthimin e hegjemonisë serbe në rajon dhe në këtë aspekt, për sa i përket çështjes së Kosovës, nisma e ka përmbushur misionin e vet me nënshkrimin e Marrëveshjes së Ohrit mes Kurtit dhe Vuçiqit. Krejt zallamahia e quajtur “Ballkan i Hapur” ka qenë e projektuar për ta rrethuar Kosovën që të pranojë rikthimin e Serbisë në Kosovë përmes Zajednicës dhe lëshimeve të tjera. Në Ohër u arrit triumfi i Beogradit dhe, njëkohësisht, i instrumentit të vet efikas – “Ballkanit të Hapur”, ish Mini-Schengen-it. Përmes Ballkanit të Hapur shqiptarët u keqdrejtuan dhe u vendosën në dilemën mes Brukselit dhe Beogradit. Mbyllja e lajmëruar për këtë arsye nuk dihet nëse është mbyllje e dilemës apo rikthim i saj në forma të tjera. Sido që të jetë, sërish jemi brenda gjendjes aktuale të panatyrshme mes Brukselit dhe Beogradit, mes BE-së dhe Serbisë.
Prandaj është i kuptueshëm edhe mosmiratimi nga ana e kryeministrit maqedonas për mbylljen e nismës dhe vazhdimin e saj gjithsesi edhe pa Tiranën. Maqedonia e Veriut ka ende mundësi ta përdorë “Ballkanin e Hapur” si rrugëdalje në kushtet e kontestit të hapur që ka me Bashkimin Europian, për shkak se nuk po arrin t’i bëjë ndryshimet kushtetuese të kërkuara nga Bullgaria. Për Maqedoninë e Veriut, vazhdimësia e Ballkanit të Hapur edhe përtej braktisjes nga Rama, është thelbësore për të dhënë mesazhin se “përballë Bullgarisë kemi Serbinë, nuk i nënshtrohemi Sofjes, sa ta kemi Beogradin”. Në fund të fundit, nëse për shqiptarët gjendja e sotme mes BE-së dhe Serbisë është e panatyrshme dhe e dëmshme, për Maqedoninë e Veriut mundet me qenë e natyrshme dhe e dobishme.
Nga ana tjetër, ndërkohë që “Ballkani i hapur” ka funksionuar mjaft mirë për ta dëmtuar Kosovën dhe për ta trimëruar Maqedoninë e Veriut, nuk ka mundur të japë frutat e veta si kalë Troje i Beogradit në Bosnjë për shkak të refuzimit të Sarajevës për t’u përfshirë, edhe pse e ka ndihmuar dhe ngushëlluar rishfaqjen e radikalizmit serb në Bosnje.
Po ashtu “Ballkani i hapur” mund të na ndihmojë ta kuptojmë përshtatjen e projektit shekullor serb, të artikuluar së fundmi si bota serbe. Askund më haptazi dhe qartazi sesa në Mal të Zi nuk u shpalos ky projekt. Forcat proserbe arritën ta marrin kontrollin e Malit të Zi dhe pa dyshim që ky ishte sukses më i madh për Vuçiqin se për këdo tjetër.
Të gjitha këto zhvillime të vrullshme dhe, deri para pak kohësh, të gjykuara si të pamundshme, po ndodhin tashmë, për shkak të kalit të betejës dhe njëkohësisht kalit të Trojës serb të quajtur “Ballkan i Hapur”. Pa këtë kalë beteje dhe kalë Troje të Serbisë në rajon nuk do të kishte qenë i mundur ky rikthim i Serbisë në Kosovë, as fërkimet mes Tiranës e Prishtinës, as rindezja e përplasjeve politike brenda Bosnjës, që haptazi janë kundër integritetit të atij shteti dhe as atyre mes Maqedonisë së Veriut dhe BE-së dhe as revanshi proserb në Mal të Zi.
Serbia tashmë është forcuar dhe e ka shtuar ndikimin e saj në rajon deri në pikën e mundësisë për ndërhyrje konkrete qoftë në Kosovë, qoftë në Mal të Zi, qoftë në Bosnjë-Hercegovinë. Serbia tashmë është kryefjala e rajonit dhe pse jo edhe po shihet si kryetarja e tij, duke qenë kryesorja e “Ballkanit të Hapur”. Gjithë ky investim gjeopolitik i Serbisë në “Ballkanin e Hapur”, në armatime, në lobime, në rehabilitim, nuk është bërë pa qëllim, por për të fituar dhe jo pak, por shumë.
Në mënyrën se si u shpalos, “Ballkani i Hapur” e mban Ballkanin Perëndimor larg BE-së dhem njëkohësisht, nuk e pengon Serbinë të afrohet me BE-në saktësisht aq sa e kërkojnë interesat e saj. Ballkani Perëndimor larg BE-së dhe NATO-s do të thotë mundësi për Serbinë që ta zhysë në kriza edhe më të thella për të nxjerrë përfitime edhe më të mëdha. Prandaj edhe teprimi me idenë se Serbia po miklohet për shkak të konfliktit mes Rusisë dhe Ukrainës është i gabuar.
“Ballkani i Hapur” si instrument i rehabilitimit gjeopolitik të Serbisë
“Ballkani i Hapur” ka rezultuar instrumenti krucial për suksesin e Serbisë në këtë rikthim gjeopolitik në kontinent e jo thjesht në rajon. Pa dyshim që nuk duhet nënvleftësuar në këtë aspekt ekspertiza teknike e njohur tashmë botërisht në marrëdhëniet publike të Sorosit, pa të cilën “Ballkani i Hapur” nuk do të kishte mundur të prezantohej me aq elegancë e stil. Madje, edhe emërtimi “i hapur” është qartazi vulë e cilësisë së paraqitjes publike të një nisme më së paku boshe dhe më së sakti të dëmshme për të gjithë, përveçse për Serbinë. Pa këtë ekspertizë, “Ballkani i Hapur” nuk do të kishte qenë më shumë sesa një lëmsh-ide me një lëmsh-emërtim: mini-Schengen.
Nisma e “Ballkanit të Hapur”, fillimisht, u paraqit si një përpjekje për të krijuar një “mini-Schengen” mes vendeve të Ballkanit Perëndimor, i cili pretendohej se do të mund të sillte shumë përfitime për vendet e rajonit. Mirëpo, në këtë mënyrë nuk arriti të krijojë ndonjë impakt të dukshëm në synimet e Beogradit. Dukej qartë se koncepti i mini-shengenit ishte shumë i ndërlikuar dhe nuk sillte impaktin e dëshiruar.
Për ta veshur disi lakuriqësinë e përmbajtjes neojugosllaviste u paraqit sikur iniciativa synonte të përmirësojë bashkëpunimin ndërkufitar dhe tregtinë, duke lehtësuar lëvizjen e njerëzve dhe mallrave, që në fakt ishte lehtësuar me proceset e bashkëpunimit rajonal dhe ato në kuadër të Procesit të Berlinit. Mirëpo, lëvizja e lirë e njerëzve dhe mallrave kryhet kur ka njerëz e mallra për të lëvizur, ngase kur njerëzit e braktisin rajonin dhe varfëria mbizotëron, nuk ka as njerëz dhe as mallra për të lëvizë.
U bë po ashtu kujdes që të pohohej vlera e prekshme e procesit të Beogradit përmes kundërshtimit të orientuar. Kështu ata që e kundërshtonin nuk shkonin më larg se sa dëshironin ata që e kishin ideuar. Skeptikët pranonin si të sigurt që iniciativa do të sjellë rritje të tregtisë dhe investimeve, por gjithashtu paraqitnin si mundësi të sillte edhe rreziqe ekonomike. Pra, nëse disa ekonomi janë më të fuqishme se të tjerat, ato mund ta dominojnë tregun dhe mund të dëmtojnë ekonomitë më të dobëta. Me këtë argument natyrisht kundërshtimi i tyre vetëkundërshtohej dhe “Ballkani i Hapur” pohohej, pasi të gjitha këto paraqiteshin jo më shumë se si efekte anësore të ilaçit çudibërës.
“Ballkani i Hapur” e paraqiti bërllokun si më të vlertë dhe më të çmuar sesa arin, duke e shpërqendruar vëmendjen dhe përpjekjen e shoqërive të rajonit nga integrimi europian. Ballkani Perëndimor u synua të shmangej nga objektivi më i rëndësishëm, anëtarësimi në Bashkimin Europian. Për Serbinë është jetike që vendet e Ballkanit Perëndimor të mos anëtarësohen asnjëherë as në NATO dhe as në BE dhe nëse kjo është e pamundur të ndalet, atëherë të paktën të zvarritet dhe të vonohet sa të jetë e mundur. Nëse këtyre vendeve u mungon përqendrimi dhe energjia për t’i përmbushur kriteret e BE-së, atëherë kjo do ta vonojë anëtarësimin e tyre dhe do ta shtojë kohën e qëndrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në vathën e Serbisë, në pritje të kasaphanës së radhës.
“Ballkani i Hapur” ishte gjithnjë pa një kornizë institucionale dhe pa një synim të deklaruar “hapurazi”. Pavarësisht se nuk kishte një shprehje të qartë se ku synonte t’i çonte shtetet anëtare, ai i shantazhonte vendet joanëtare që të bashkoheshin në atë nismë. Pra, nuk kishte asnjë kusht paraprak që duhej plotësuar, përveç pranimit dhe nënshtrimit.
Vetë nisma nuk arriti të bëhej kurrë e hapur sepse për dallim nga Procesi i Berlinit, që përfshin të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, “Ballkani i Hapur” është nisur dhe bitisur me vetëm tre vende. (Mali i Zi ka qenë gjithnjë jashtë edhe përkundër dëshirës së kryeministrit Abazoviq për të qenë pjesë, kjo për shkak se deri më 2023 presidenti Gjukanoviq e ka kundërshtuar.) Kjo gjysmëhapje, në fakt, ka ndikuar negativisht në bashkëpunimin rajonal, duke e ndarë rajonin më dysh. /revistashenja