Ballina Autorë Nga Arben HALLUNI/ Turqia një vend më shumë se mik për shqiptarët

Nga Arben HALLUNI/ Turqia një vend më shumë se mik për shqiptarët

-Turqia një popull më shumë se mik për shqiptarët

Turqia vazhdon dërgimin dhe shpërndarjen e ndihmave për banorët e prekur nga tërmeti i 26 nëntorit në Shqipëri. 

Zëvendësministri i Mbrojtjes i Shqipërisë, Petro Koçi Ambasadori i Turqisë, Murat Ahmet Yörük ushtarakë shqiptarë dhe turq si dhe përfaqësues të institucioneve të tjera të Shqipërisë mirëpritën së bashku avionin e dytë ushtarak të ndihmave.

Në një prononcim për mediat, ambasadori Yörük duke shprehur ngushëllimet për popullin shqiptar, theksoi se me urdhër të presidentit të Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, institucionet turke u angazhuan për të dhënë ndihmën e tyre.

Në të njëjtën datë me tërmetin, të gjitha institucionet turke duke filluar që me Drejtorinë e Menaxhimit të Fatkeqësive Natyrore dhe Emergjencave, Gjysmëhënën e Kuqe Turke, dhe të gjitha institucionet e tjera u vunë në lëvizje për të ndihmuar popullin vëlla shqiptar. Që nga ajo ditë, institucionet tona, bashkë me Kryqin e Kuq Shqiptar dhe Ministrinë e Mbrojtjes, kanë kryer aktivitetet e kërkim-shpëtimit, si dhe aktivitetet e ndihmës njerëzore. Gjatë kësaj kohe, drejtori i Përgjithshëm i Gjysmëhënës së Kuqe Turke, Dr. Ibrahim Altan ka ardhur në Shqipëri. Bashkë me atë, kryesisht në Durrës dhe vendet e prekura nga tërmeti, kemi qenë së bashku për të kryer inspektime përkatëse“, tha ambasadori turk.

Yörük u shpreh se në të njëjtën kohë përfaqësues të Gjysmëhënës së Kuqe Turke po vazhdojnë aktivitetet për ndihmë ndaj njerëzve në terren.

Në fundjavën e kaluar, erdhi një ekip nga Ministria e Mjedisit dhe Urbanistikës dhe ka shkuar në vendet ku ka rënë tërmeti për të kryer matjet e duhura. Presidenti i Republikës së Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, duke i folur edhe komunitetit ndërkombëtar kërkoi t’i jepej ndihmë Shqipërisë në këtë kohë të vështirë dhe ai u shpreh se do të ndihmonte Shqipërinë duke ndërtuar 500 apartamente. Me një përfaqësi të Drejtorisë së Administrimit të Banesave Publike të Turqisë, kemi komunikuar me ministren e Kulturës së Shqipërisë, Elva Margariti dhe kanë filluar punimet për këtë lloj ndihme. Pasi të vendoset për qytetin dhe vendin ku këto apartamente të ndërtohen ne do të fillojmë menjëherë punën për t’iu dhënë personave të prekur nga ky tërmet një shtëpi të qëndrueshme ku ato të banojnë“, tha më tej ambasadori i Turqisë në Tiranë.

Ai theksoi se vazhdojnë akoma të asistojnë me ndihma për popullin shqiptar, duke mundësuar çadra të qëndrueshme të tipit familjar.

Nga avioni ushtarak që ndodhet pas nesh ne vazhdojmë të japim materiale të ndryshme për personat, të cilët nuk mund të kthehen pranë shtëpive të tyre dhe këto materiale ndihme konsistojnë në ngrohëse, në batanije, në krevate portativë dhe të tjera. Nga ana tjetër përfaqësues të TIKA-s, dhe të Gjysmëhënës së Kuqe Turke, vazhdojnë me shpërndarjen e ndihmave ushqimore për të gjithë të prekurit nga ky tërmet prej ditës së parë të tij. Ne si popull turk, si Turqi, e kemi për detyrë që në kohë të vështira, t’i gjendemi pranë, në ndihmë Shqipërisë. Ne jemi duke punuar që të lehtësojmë sadopak dhimbjen e popullit shqiptar nga ky tërmet tragjik”, u shpreh Yörük, duke theksuar se do të jenë gjithmonë në ndihmë të popullit shqiptar në këto kohë të vështira.

Zv.ministri i Mbrojtjes i Shqipërisë, Petro Koçi gjatë prononcimit për mediat tha se Shqipëria ishte e sigurt se Turqia do të ishte një nga vendet e para që do të asistonte në përballimin e kësaj fatkeqësie të rëndë.

“Turqia, një vend më shumë se mik, Turqia një popull më shumë se mik për shqiptarët, ka qenë dhe mbetet gjithmonë në krah të Shqipërisë në rastet e këtyre fatkeqësive. Kjo fatkeqësi po kthehet në një energji më shumë në frymën e bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Turqisë. Dua të shpreh mirënjohjen për presidentin Erdoğan, për Ministrinë e Mbrojtjes së Turqisë, për Forcat e Armatosura, për Gjysmëhënën e Kuqe Turke, për Agjencinë Publike të Strehimit të Turqisë dhe për të gjitha ekipet e asistencës të kërkim-shpëtimit që kanë mbërritur në Shqipëri për të përballuar këtë sfidë e cila është shumë e vështirë për ne“, tha Koçi.

Koçi theksoi më tej se vlerëson në mënyrë të veçantë angazhimin e presidentit Erdoğan, për ndërtimin e 500 njësive të banimit për familje, të cilat u prekën rëndë nga fatkeqësia e tërmetit të 26 nëntorit. 

“Kjo na e lehtëson shumë situatën dhe na krijon më shumë optimizëm për ta përballuar me sukses këtë sfidë shumë të rëndë. Turqia edhe një herë po dëshmon se në raste të tilla është e gatshme, është nga vendet e para që vjen për të asistuar Shqipërinë dhe ne do të dimë që t’i jemi gjithmonë mirënjohës Turqisë për këtë kontribut të jashtëzakonshëm vëllazëror me shpirt të madh dhe me zemër të pastër ndaj Shqipërisë. Dua gjithashtu të falënderoj djemtë e Forcave Ajrore Turke që kanë mbërritur me shpejtësi për të sjellë këto ndihma, që janë shumë praktike për njerëzit në nevojë“, tha Koçi.

Ndihmat e mbërritura me avionin ushtarak turk janë të Gjysmëhënës së Kuqe Turke dhe Autoritetit Turk për Menaxhimin e Katastrofave dhe Emergjencave-AFAD dhe përfshijnë 150 çadra, 150 batanije, 300 krevate portativë dhe 150 ngrohëse.

***

-TIKA dhe ALSAR vijojnë të shpërndajnë ndihma të ndryshme për të prekurit e tërmetit në Tiranë e në qytete të tjera

Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe  Koordinim – TİKA vazhdon të mbyllë plagët për të prekurit e tërmetit të ndodhur me datë 26 nëntor në Shqipëri.
Në këtë kuadër, u realizua shpërndarja e gjithsej 700 paketave ushqimore dhe batanijeve në zonat e Prezës, Bubqit, Kamzës dhe Tiranës.

Vlen të përmendet se në etapën e parë të ndihmave të TIKA-s u shpërndanë 500 pako ushqimore me produkte oriz, vaj, fasule, sheqer, makarona, miell dhe produkte të tjera, si dhe 500 batanije.

Gjithashtu në vijim TIKA shpërndau edhe 1.500 batanije dhe 1.500 pako ushqimore për familjet që janë prekur nga tërmeti i fuqishëm 6.3 ballë.

Ndërkaq, TİKA ndihmoi me 900 paketa ushqimore dhe batanije per personat e prekur nga tërmeti në zonat e Mamurrasit, Shëngjinit dhe Pezës, të cilëve u janë dëmtuar ose shembur shtëpitë dhe një pjesë e tyre vazhdojnë të jetojnë në çadra. 

Nga ana tjetër, edhe Fondacioni ALSAR në bashkëpunim me institucionet turke në ditët e solidaritetit për familjet e prekura nga tërmeti, ka vijuar me shpërndarjen e kontingjentit të II-të të ndihmave në pako ushqimore për t’u ardhur në ndihmë 300 familjeve në njësitë administrative Ndroq, Pezë dhe Petrelë të qytetit të Tiranës, me synimin për të kontribuar sadopak në plotësimin e nevojave emergjente të banorëve të prekur nga kjo fatkeqësi natyrore.

***

-Mirënjohje për AFAD  dhe UMKE

Zëvendëskomandanti i Marinës së Shqipërisë ka dhënë një certifikatë mirënjohje për ekipet e Departamentit për Menaxhimin e Fatkeqësive dhe Situatave Emergjente-AFAD dhe Ekipit Kombëtar i Shpëtimit Mjekësor – UMKE, që operon pranë Ministrisë së Shëndetësi të Turqisë, të cilët pas tërmetit të 26 nëntorit, në të njëjtën ditë filluan aktivitetet e tyre të kërkim-shpëtimit dhe ndihmës humanitare në Shqipëri.

Po ashtu edhe Ambasada e Republikës së Turqisë në Tiranë ka falënderuar Presidencën e AFAD-it, Ministrinë e Shëndetësisë dhe ekipet e tjera turke për punën e tyre të përkushtuar.

***

-Reagime nga qytetarë dhe analistë për solidaritetin e Turqisë në Shqipëri, pas tërmetit

Dëgjues të nderuar në fund të këtij programi ju ftojmë të ndiqni dy intervista të shkurtra me analistë, dhe gazetarë, pikërisht me Bujar Ferhati dhe Vladimir Lame, të cilët të pyetur në lidhje me solidaritetin dhe ndihmën e madhe të qeverisë turke, të institucioneve të saja dhe veçanërisht të presidentit turk, Erdogan ata para mikrofonit të Radio “Zëri i Turqisë” – TRT u shprehën

Bujar Ferhati: “…Është me të vërtet një fatkeqësi natyrore që Shqipëria po përjeton me të vërtetë një dramë të vështirë, sepse tërmeti është diçka shumë e rëndë me pasoja tepër të mëdha tragjike, por mbi të gjitha duhet të përmendur vlera e madhe,

e kujt? E të gjithave vendeve, pothuajse në mbarë botën që solidarizohen dhe japin një vlerë të veçantë popullit shqiptarë, ndonëse dikur ishim  me parime disi naive e kanë kuptuar që populli shqiptar ishte vetëm një viktimë.

Duhet të themi se shumë qeveri kanë dërguar ekipe dhe shumë shtete po japin ndihma. Për këtë duhet ti falënderojmë sepse e kemi detyrë morale si popull. Pavarësisht se qeveritë kanë rolet e tyre, kuptohet edhe qeveria aktuale ka pozicionet e saj, por duhet theksuar se në katastrofa shihet pozicioni themeltar i gjithë secilit, konkretisht duhet falënderuar shumë disa shtete kulmore, siç është edhe Turqia, një mike e vjetër e popullit shqiptar, një mike me të vërtetë me vlera të veçanta, e cila është përkushtuar edhe me mbështetjen kryesore të Presidentit Erdogan, i cili  me ndjenjat e miqësisë di ti  japë vlerën e vërtetë në kohë e duhur dhe në vlerën e duhur, duke kontribuar në mënyrë direkte për ndërtimin e 500 shtëpive, një dhuratë e jashtëzakonshme, njëkohësisht duke dërguar ekipe të ndryshme, si dhe njëkohësisht duke mbështetur në shumë pozicione shtetin shqiptar. A ka ma madhështore në këtë gjë?

Thjesht në humanizmin e të gjithë ngjyrimeve edhe njëkohësisht të feve, kjo është forca e evolucionit dhe e zhvillimit mendor, forca e një qeverie, e cila njeh modernizimin dhe kohën aktuale që është në botë.

Unë falënderoj shumë z. Erdogan, Shkëlqesinë e Tij dhe të gjithë qeverinë turke, plus mbi të gjitha popullin turk.

Në fund do të do të dëshiroja që të bëheshin më tepër evidentime dhe patjetër propagandë në vlerat e moralit njerëzor që nuk njeh ngjyra, por njeh shpirtin e moralit të madh të ndihmës ekonomike ndaj njëri-tjetrit…”.

Vladimir Lame: “…Po në mënyrë të veçantë në këtë situatë tërmeti të 26 nëntorit, duhet vlerësuar ndihma e Turqisë  në mënyrë të veçantë premtimi i presidentit Rexhep Tajip Erdogan për të ndihmuar në menaxhimin e kësaj situate dhe për ndërtimin e 500 njësive banimi pas tërmetit të fuqishëm.

Sipas deklaratës së sotme të Kryeministrit Edi Rama është zgjedhur qyteti i Laçit, një qytet në veri të Shqipërisë në të cilin do të ngrihen këto 500 apartamente të reja që përbëjnë projektin fillestar të riparimeve të dëmeve që u shkaktuan nga tërmeti.

Mendoj se është një kontribut që duhet të ndiqet edhe nga shtetet tjera, sepse banorët e prekur nga pasojat e tërmetit, ata që kanë mbetur pa strehë dhe janë të strehuar tashmë përkohësisht në çadra mezi presin që të shohin shtëpitë e reja të banimit dhe kjo ndihmë e ofruar është më konkretja deri tani nga Komuniteti Ndërkombëtar, shpresoj që edhe Komisioni Evropian dhe shtetet tjera anëtare të Bashkimit Evropian të ofrojnë një ndihmë më konkrete për të tejkaluar këtë situate sa më shpejtë…”.

Përgatiti për TRT Shqip, Arben HALLUNI, Shqipëri

Exit mobile version