Me reagime të shumta është pritur në Kosovë marrëveshja për energjinë. Kryeministri Albin Kurti dhe partia e tij e kanë cilësuar sukses këtë, ndërkaq në partitë opozitare thanë se pushteti arriti marrëveshje të njëjtë me ato që Vetëvendosje i kundërshtonte sa ishte në opozitë. E, serbët në Kosovë e quajtën fitore për ta faktin që dokumenti nuk i obligon ta paguajnë energjinë e shpenzuar deri tash.
Afro 120 milionë euro janë shpenzuar që nga viti 2012 për energjinë e shpenzuar nga qytetarët e katër komunave veriore me shumicë serbe.
Por Ekzekutivi po shpreson që brenda vitit të fillojë me arkëtimin e mjeteve pas arritjes së pajtueshmërisë për zbatimin e Marrëveshjes për energji, e nënshkruar më 2013.
Shefi i Ekzekutivit, Albin Kurti, ka thënë se kjo ujdi është rezultat i punës së palodhshme të Qeverisë që ai drejton.
“Ka qenë një dëmtim i madh i buxhetit, një padrejtësi e jashtëzakonshme që na është bërë në këto vite, andaj me këtë dakordim po i vjen fundi dhe po mundësohet që për energjinë e konsumuar edhe të paguhet ajo energji nga të gjithë qytetarët, ashtu që të gjithë të jemi të barabartë dhe të mos dëmtohet buxheti”, është shprehur Kurti.
Marrëveshja për të cilën u dakorduan të martën për zbatim të saj ishte kundërshtuar nga partia që udhëheq Kurti. Por, ai thotë se kanë bërë më të mirën në rrethanat që kanë.
Udhërrëfyesi për zbatimin e Marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë është diskutuar shkarazi në Komisionin për Ekonomi, në të cilën dështoi miratimi i mocionit për shkarkimin e Bordit të ZRRE-së.
“Në momentin që të arrihet kjo marrëveshje dhe sot, nesër apo pasnesër të merret vendim në Kuvend për të shkarkuar bordin është tamam një sabotazh i funksionimit të mirëfilltë të shtetit pasi është Zyra e Rregullatorit që duhet të autorizojë një kompani që faturon në katër komunat në veri”, është shprehur shefja e deputetëve të VV-së, Mimoza Kusari-Lila.
Deputetët opozitarë nuk kanë qenë të njoftuar rreth përmbajtjes së saj.
Kostoja e veriut mbetet sfidë për KOSTT-in.
“Sfidë e madhe përkundër sfidës energjetike për KOSTT mbetet mungesa e mbulimit të humbjeve të konsumit për pjesën veriore të Kosovës ku përgjegjësia e paadresuar brenda Kosovës si rezultat i vendimeve gjyqësore mbetet e patrajtuar dhe mbetet barrë e madhe për ne”, ka thënë Jeton Mehmeti, kryesues i Bordit të KOSTT-it.
Opozita ia ka kujtuar Kurtit kundërshtimet që ia kishte bërë marrëveshjes. Lideri i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka pyetur kryeministrin nëse këto marrëveshje do të legalizojnë apo jo ndikimin e Serbisë në Kosovë, ashtu siç deklaronte dikur.
“Kryeministri Kurti në kohën kur ishin arritur këto dy marrëveshje i kishte cilësuar si marrëveshje që legalizojnë ndikimin e Serbisë në Kosovë. Sot qytetarët e Kosovës duhet ta dëgjojnë nga vetë ai nëse këto dy marrëveshje, të pranuara pa asnjë ndryshim e të proklamuara me plot meritë, do ta legalizojnë apo jo ndikimin e Serbisë në Kosovë. LDK-ja ka mbështetur në vijimësi dhe me konsistencë – dje dhe sot – marrëveshjet në interes të Kosovës, që kanë synuar ushtrimin e plotë të sovranitetit të Republikës së Kosovës në tërë territorin e saj”, ka thënë ai.
E lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, në një postim në Facebook ka thënë se marrëveshja është e njëjtë me atë të 2013-s, veçse janë vënë afatet kohore.
“Nëse pala serbe e zbaton këtë roadmap, nuk është keq në krahasim me gjendjen e tanishme”, ka shkruar Haradinaj.
Ndërsa shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, ka thënë se ky është një hap i rëndësishëm që çon para edhe dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja.
“Fola sot me Aleksandar Vuçiqin dhe Albin Kurtin për t’i uruar për arritjen e marrëveshjes mbi udhërrëfyesin e energjisë sot. Ky është një hap i madh dhe i rëndësishëm përpara në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja dhe do të japë rezultate konkrete për të gjithë qytetarët. Mezi presim të vazhdojmë të punojmë në hapat e ardhshëm”, është shprehur Borrell.
Arritjen e marrëveshjes e ka mirëpritur edhe Lista Serbe.
“E ruajtëm trafostacionin në Valaç, s’do të paguajmë retroaktivisht për rrymën e shpenzuar”, thuhet në komunikatën e kësaj partie.
Nëpërmjet një reagimi në Facebook, Lista shkruan se Marrëveshja e arritur është dëshmi se “dialogu është mënyra e vetme për zgjidhjen e çështjeve të hapura”.
Që nga përfundimi i luftës së fundit në Kosovë, më 1999, qytetarët e veriut furnizohen rregullisht me energji elektrike, por nuk e paguajnë atë.