Ballina Arritje Teknologji Nga 1 Korriku Kosovaret pa tarifa roaming ne Ballkanin Perendimor

Nga 1 Korriku Kosovaret pa tarifa roaming ne Ballkanin Perendimor

Aktualisht, çmimet për shërbimet roaming për thirrje të realizuara për një minutë janë rreth 16 cent kurse për një mesazh rreth 05 cent

Qytetarët e Kosovës nuk do të paguajnë asnjë shtesë për shërbimet e rregulluara me roaming në kuadër të telekomunikimit, siç janë thirrjet dhe mesazhet me telefoni mobile në të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, që nga 1 korriku i këtij viti.

Ka mbetur më pak se një muaj që të finalizohet marrëveshja për roaming mes Kosovës, Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi, Bosnje e Hercegovinës dhe Serbisë, e cila ishte kërkuar Bashkimi Evropian, si formë lehtësimi për komunikimet ndërmjet qytetarëve.

Ministria e Ekonomisë në një përgjigje me shkrim për Gazetën Online Insajderi thotë se kjo ide madhore ka për qëllim që gjashtë vendet e kësaj pjese të Ballkanit të mund të negociojnë edhe me vendet e BE-së për heqjen e roamingut.

“Në bazë të Marrëveshjes së nënshkruar nga gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor, nga data 1 korrik duhet të bëhet heqja e tarifave të roamingut në komunikimet mobile në mes shteteve tona. Ideja madhore është që mëpastaj vendet tona të mund të negociojnë edhe me vendet e Bashkimit Evropian për heqje të roamingut”, thotë Agim Kukaj – drejtor i Departamentit të TIK në ME.

Ai shton se aspektet teknike dhe procedurale janë në përgjegjësi të Autoritetit Rregullativ për Komunikim Elektronik dhe Postar (ARKEP) sa i përket zbatimit të marrëveshjes.

Kryesuesi i Bordit të ARKEP, Nazim Rahimi, thotë se ky institucion ka ndërmarrë të gjithë hapat e nevojshëm me kohë dhe është në komunikim të vazhdueshëm me operatorët “përmes dhënies së udhëzimeve përkatëse për zbatimin e tarifave në përputhje me marrëveshjen e nënshkruar dhe vendimet e nxjerra nga ARKEP”.

“Më datë 11 Qershor 2021, Bordi i ARKEP ka miratuar Rregulloren për zbatimin e politikës së drejtë dhe për metodologjinë e vlerësimit të qëndrueshmërisë së heqjes së tarifave të roamingut me pakicë për marrëveshjen e roamingut në mes shteteve të Ballkanit Përendimor”, ka thënë më tej ai për redaksinë, duke shtuar se me këtë është përmbyllur me sukses legjislacioni i nevojshëm për fillimin e zbatimit të fazës së dytë, respektivisht heqjen e tarifave të roamingut nga data 1 korrik 2021.

Rahimi më tutje tregon se me rastin e heqjes së këtyre tarifave, ARKEP ka përgatitur dy udhëzues për të njoftuar konsumatorët në lidhje me tarifat e reja të rregulluara të roamingut midis Kosovës dhe vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor.

“ARKEP po ashtu me qëllim të njoftimit të konsumatorëve për tarifat e reja të rregulluara të roamingut në mes Republikës së Kosovës dhe Vendeve të Ballkanit Përendimor (WB6), si dhe të drejtat që konsumatorët kanë, ARKEP ka përgatitur 2 Udhëzues: Udhëzuesi për Konsumatorët dhe ai për Operatorët, të cilët janë të publikuara në ëeb faqen e ARKEP dhe mund të shkarkohen nga linku: http://arkep-rks.org/?cid=1,27”, përfundoi ai.

Faza e parë e zbatimit të kësaj marrëveshje ka filluar në vitin 2019, ku ka pasur një ulje të çmimeve deri në 80 për qind, kurse faza e dytë, apo eliminimi i tërësishëm i tarifave, pritet të zbatohet më 1 korrik 2021.

Tarifa e roamingut nënkupton telekomunikimin dhe shërbimin që qytetarët e përdorin në një shtet tjetër, nga një qendër e operatorit të telefonisë mobile.

Në muajin prill të 2018 në Samitin e parë Digjital të mbajtur në Shkup, ishte paralajmëruar ulja e çmimeve të roamingut mes vendeve të Ballkanit.

Aktualisht, çmimet për shërbimet roaming për thirrje të realizuara për një minutë janë rreth 16 cent kurse për një mesazh rreth 05 cent.

Exit mobile version