Nga 1 janari në Zvicër udhëtimi nga shtëpia deri në zyrë llogaritet si orar pune

Është bërë e ditur se në Zvicër nga 1 janari udhëtimi në shtëpi-zyrë, qoftë me tren apo autobus, mund të konsiderohet orar pune, me kusht që të përmbushen disa detyrime të parashikuara në kontratë.

Meqenëse Zvicra është shtet parimor dhe i ndryshimeve të ligjeve, këtë vit ka bërë këtë risi të punës që, sipas tyre, është në të mirën e punëtorëve.

Gazeta e përditshme zvicerane Swissinfo, ka përgatitur një artikull, sipas të cilit shteti zviceran ia njeh punonjësve publikë të drejtën që koha e udhëtimit të konsiderohet pjesë e orarit zyrtar të punës.

Thuhet se kjo risi buron nga një ndryshim në direktivën “Puna e lëvizshme në administratën federale”, e cila thotë se “performanca e punës gjatë udhëtimit në zyrë” mund të miratohet me kusht që lloji i punës, kohëzgjatja dhe kushtet e udhëtimit ta bëjnë këtë të mundur.

Kështu pra, më në fund pranohet se është punë edhe nëse i përgjigjeni një telefonate të shefit, dërgoni dhe merrni e-mail ose mesazhe përmes rrjeteve sociale me udhëzime, kujtesa dhe sqarime mbi angazhimet e ditës.

Sipas profesorit të së drejtës së punës, Thomas Geiser, nga Universiteti i St. Gallen, leximi i postave elektronike jashtë zyrës duhet të llogaritet ligjërisht si koha e punës.

“Bërja e telefonatave dhe [shkrimi] e-mail në kohën tuaj të lirë për punën tuaj është punë dhe jo kohë e lirë”, i tha ai televizionit publik zviceran SRF.

Sipas Zyrës Federale të Statistikave, nëntë nga dhjetë punëtorë në Zvicër – ose katër milionë njerëz në total – në vitin 2017 kanë punuar larg vendbanimit, që domethënë kanë udhëtuar rreth një orë deri në vendin e punës, gati një e treta e tyre me transport publik.

Ndërkohë direktiva e re është gjithashtu pasojë e evolucionit teknologjik, i cili me telefon, apo laptop falë internetit, lejon që të kryhet edhe jashtë zyrës një pjesë e detyrimeve të punës.