Neymar da Silva Santos Sr., baba dhe njëherësh menaxher i yllit të futbollit, Neymar Jr., e ka lënë të hapur mundësinë që futbollisti brazilian të rikthehet në klubin e tij të fëmijërisë, Santos, në një të ardhme.
Përfaqësuesi brazilian aktualisht është duke u shëruar nga lëndimi i rëndë që e kishte pësuar në gju, ndërsa së fundmi ishte në stadium duke e përcjellë ndeshjen mes Santos dhe Palmeiras, duke i zgjuar spekulimet për një ribashkim me klubin e tij të dikurshëm, prej së cilit ishte transferuar në Barcelonë.
Neymar Sr., ka thënë se i biri i tij do të fokusohet fillimisht në shërim nga lëndimi dhe më pas të mendojë për një lëvizje eventuale.
“Ëndrra është mjaft e rëndësishme”, deklaroi Neymar da Silva Santos Sr. Për “TNT Sports”.
“Por, mendoj se kemi nevojë të jemi të qetë dhe të durueshëm për këtë. Neymar do të kalojë ende kohë jashtë Brazilit, më saktësisht në Arabinë Saudite. Rikthimi i tij do të ndodhë në një pikë. Por, ne duhet të kemi durim. Gjëja e parë është shërimi i tij, i cili nevojitet të jetë i mirë, i shkëlqyeshëm, për t’u rikthyer në nivele të larta. Të gjithë e dinë dashurinë që e kemi për Santos FC. Në këtë vend djali im e nisi karrierën”, përfundoi babai i futbollistit brazilian.