Në sheshin “Times” në New York të SHBA-së u vendosën 251 palë këpucë që simbolizojnë dëshmorët e 15 korrikut, transmeton Anadolu Agency (AA).
Anëtarët e Komitetit Drejtues Kombëtar Turko-Amerikan (TASC) që veprojnë në SHBA, ekspozuan njëherësh në sheshin “Times” vendin më të famshëm turistik të New Yorkut, 251 palë këpucë për të rikujtuar 251 shtetasit turq që u martirizuan në përpjekjen për grusht shteti të FETO-s më 15 korrik.
Në deklaratën e shpërndarë për informim u theksua: “Sot këpucët që shikoni këtu janë simbol i këpucëve që kishin të veshur burrat, gratë, fëmijët dhe të moshuarit që humbën jetën atë natë. Ne përkujtojmë shpirtrat e guximshëm që mbrojtën lirinë dhe demokracinë në Türkiye (Turqi) në atë natë dhe shprehim ngushëllimet dhe solidaritetin tonë për familjet e tyre”.
Në vazhdim të deklaratës thuhet se “anëtarët e FETO-s të infiltruar në ushtrinë turke, i drejtuan armët popullit të tyre për të marrë nën kontroll asetet e NATO-s, por që ata dështuan pas mbrojtjes që populli turk i bëri demokracisë”.
– U dha mesazhi me sloganin “Marshimi i fundit”
Në deklaratën e përgatitur në anglisht dhe e shpërndarë për shtetasit amerikanë u tha se “Çdo palë prej këpucëve që shihni këtu përfaqëson një hero që ka kryer ‘marshimin e fundit‘ për demokracinë”.
Në aktivitet u theksua se përpjekja për grusht shteti më 15 korrik 2016 u pengua nga populli turk për të mbrojtur demokracinë, kushtetutën dhe liritë, dhe se gjatë përpjekjes krahas 251 dëshmorëve u plagosën edhe 2.734 qytetarë.
Në fund të deklaratës vihet në dukje se populli turk kërkon ndihmë nga SHBA-ja që drejtësia të vihet në vend për kreun e FETO-s, Fetullah Gülen dhe mbështetësit e tij.