Kreu i Gjysmëhënës së Kuqe Turke, Kerem Kınık, thekson se nga institucionet ndërkombëtare duhet të miratohet dhe zbatohet një politikë gjithëpërfshirëse për t’u dhënë fund krizave humanitare anembanë botës.
Duke folur për Anadolu Agency (AA), kreu i Gjysmëhënës së Kuqe Turke theksoi se kjo politikë duhet të përbëhet nga siguria, zhvillimi dhe ndihma humanitare. “Nëse në një rajon ka luftë apo tensione dhe ju shpërndani ndihma humanitare, kjo nuk do të jetë e mjaftueshme për të parandaluar luftën”, shprehet Kınık.
Siç thekson ai, këto politika zbatohen më veç nga institucionet në mbarë botë, prandaj sipas tij, ato duhet të integrohen. “Si Gjysmëhënë e Kuqe, thirrja më e rëndësishme që kemi bërë në fushën e ndihmës humanitare është të miratojmë këtë qasje holistike dhe të lehtësojmë vuajtjet njerëzore me një politikë të përbashkët në të gjitha fushat”, shton Kınık. Ai deklaron se parësore është mbrojtja e popullit.
“Sistemi i OKB-së ka nevojë për ndryshime”
Sipas tij, sistemi i Kombeve të Bashkuara (OKB), i krijuar si një sistem ndërkombëtar për të ndaluar luftërat, ka nevojë për ndryshime. Ai duke folur për situatën aktuale me refugjatët në Turqi, thekson se Gjysmëhëna e Kuqe Turke rregullisht mbështet 1.3 milion njerëz.
“Ne sigurojmë mbështetje të rregullt arsimore për 250 mijë fëmijë sirianë. Ndihmat humanitare që dërgojmë në Siri vazhdojnë çdo ditë. Deri tani, ne kemi dërguar 40 mijë kamionë me ndihma humanitare dhe jemi duke u përpjekur të sigurohemi që nuk ka vende në Siri ku ndihma nuk ka arritur”, shpjegon ai.
Në vijim, Kınık foli edhe për programin e furnizimit me gjak nga Gjysmëhëna e Kuqe Turke, për të cilin shprehet se në Turqi vetëdija mbi këtë çështje vazhdimisht është duke u rritur. Ai bën të ditur se në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë së Turqisë është duke u punuar për një model, i cili deri në fund të vitit 2017 do të mundësojë furnizimin me gjak për njerëzit në nevojë në të gjithë Turqinë. “Qëllimi ynë është të mbledhim tre milionë njësi të gjakut”, thotë ai.