Nevojat njerëzore

Hoxhë Justinian Topulli

Nevojat e njerëzve, sado të ndryshme mes tyre, janë të njëjta në thelb, për shkak se të gjithë njerëzit sado që i përkasin racave dhe kulturave të ndryshme, vijnë nga e njëjta origjinë e përbashkët, dhe ky unitet njerëzor zor se mund të kundërshtohet.
Mirëpo, njerëzit duke qenë individë të ndryshëm në dëshira, prirje, zakone, bindje, karakter dhe formime, ata janë shpesh subjektivë në nevojat që ndjejnë për veten e tyre. Shpesh, dëshirat dhe tekat shndërrohen dhe shihen si nevoja, ndonjëherë edhe të domosdoshme, ndërkohë që në realitet nuk janë të tilla për mbarëvajtjen e jetës njerëzore. Por duke qenë se njerëzit e kanë tepër të vështirë të dallojnë për veten e tyre nevojën subjektive, që buron nga një pasion apo tekë e caktuar, nga nevoja e vërtetë apo edhe masën e saj, ata e transformojnë këtë dëshirë në mënyrë subjektive, në një nevojë jetike të domosdoshme.
Në një botë si kjo e sotmja, ku individualizmi dhe dëshirat e tekat individuale sa vijnë e bëhen gjithmonë e më subjektive, dhe mjedisi social i ushqen ato gjithmonë e më tepër, duke krijuar teka-nevoja, gjithmonë e më të shumta, dhënia e një manuali sesi duhet jetuar jeta, bëhet gjithmonë e më e vështirë.
Pa më të voglin dyshim, shtimi i pasioneve dhe kapriçove njerëzore, dhe përmbushja e tyre, nuk e bën njeriun më të lumtur dhe as shoqërinë dhe botën një vend më pranë parajsës tokësore, përkundrazi, e bën atë më të ligështuar e më të sëmurë moralisht, psiqikisht e shpirtërisht. Dhe kjo, për shkakun e thjeshtë se ai nuk po plotëson nevojat e tij reale për një jetë më të mirë, por nevojat e tij subjektive, të cilat nuk janë gjë tjetër veçse teka të ulëta epshore, të cilat vetëm se e dëmtojnë atë në çdo plan të jetës.
Zoti vepron me njerëzit si mjeku me pacientin, duke i dhënë atij atë që vërtet i nevojitet për shëndetin e tij mendor, shpirtëror e jetik, por njeriu tekanjoz, edhe pse mund të besojë dhe pranojë në parim, se Ai që e ka krijuar e di më mirë se për çfarë ka nevojë njeriu, përsëri refuzon të pranojë kurën e Tij, sepse ajo i duket e hidhur dhe nuk i shijon sa vesi sëmundje, që subjektivisht e këndell më tepër, në përkohshmërinë e tij dehëse.
E parë me këtë kthjelltësi logjike, nuk është aspak e habitshme të kuptosh pse rregullat dhe normat fetare e morale, sesi njeriu duhet ta jetojë jetën, shihen shpesh si barrë e si shtrënguese për njerëzit tekanjozë të kësaj kohe dhe çdo kohe tjetër. Mund të të mos pëlqejë mbulesa e femrës, mund të të mos pëlqejë namazi, mund të të mos pëlqejë agjërimi, mund të të mos pëlqejnë shumë prej kufizimeve etike e morale që feja kërkon nga njeriu, dhe mund të të joshin shumë nevoja subjektive të kundërta me këto, por dije se ajo që të bën mirë në këtë jetë dhe në tjetrën, është pikërisht ajo që Zoti ka përcaktuar për ty. Ndaj, Islami është manuali i saktë sesi duhet jetuar jeta e mirë dhe e lumtur njerëzore në këtë botë, ndërkohë që çdo dalje nga ky manual, mund të jetë vërtet joshëse dhe të këndell pasionet, epshet dhe dëshirat me të skajshme subjektive që njeriu mund të ketë, por në fund, ato nuk sjellin gjë tjetër vetëm se largim gjithmonë e më të madh nga Zoti. Dhe njeriu sa më larg Zotit të jetë, sëmundja e tij bëhet edhe më e pashërueshme.
Padyshim, se edhe shumë prej besimtarëve të devotshëm vuajnë, vuajnë sepse afërsia me Zotin nuk është e plotë, por edhe largësia me Të nuk është e plotë, vuajnë për aq sa ata qëndrojnë larg Tij, dhe lumturohen për aq sa qëndrojnë pranë Tij, në një pozicion të ndërmjetëm, shpesh sfilitës dhe stresues, plot brenga dhe sfida. Lum ai që e fiton këtë betejë me veten e tij!

Hoxhë Justinian Topulli