Aplikim dhe pritja për viza pune nga njëra anë, pastaj biseda dhe plane ndër të rinjtë për dalje nga Kosova nga ana tjetër, kanë arritur në nivele shqetësuese për popullin dhe shtetin tonë.
Fakti edhe më shqetësues në këtë ‘mesele’ është që plane për dalje nga Kosova janë duke bërë edhe të punësuarit!?
Nga ana tjetër shumë konkurse pune të hapura prej bizneseve dhe organizatave, si dhe biseda dhe brenga të skajshme të pronarëve të këtyre bizneseve në lidhje me të ardhmen e tyre në aspektin e burimeve njerëzore, janë ndër temat kyçe nëpër çdo cep të Kosovës.
Të gjithë (pronarët; punonjësit) i kanë arsyet dhe justifikimet e tyre…?
Shumë pronarë të bizneseve kanë arritur sukses në bazë të njohurive dhe përvojave të tyre teknike dhe profesionale. Gjatë këtij rrugëtimi ata kanë rritur edhe numrin e të punësuarve si nevojë e pashmangshme për mbarëvajtjen e biznesit të tyre.
Sipas informatave nga tereni, supozohet që shumë prej këtyre pronarëve nuk kanë qenë të përgatitur aspak se si t’i udhëheqin dhe trajtojnë punonjësit e tyre!? Si rrjedhojë, shumë pak prej tyre e kanë kuptuar këtë mangësi!
Ndoshta edhe nuk kanë faj, sepse askush nuk i ka trajnuar dhe edukuar se si të udhëheqin.
Kjo ka shkaktuar pakënaqësi dhe pasiguri tek punonjësit e tyre dhe si rezultat punonjësit kanë humbur shpresën dhe vetëbesimin por jo vetëm kaq, ata gjithashtu kanë humbur edhe kreativitetin, produktivitetin, dhe përkushtimin ndaj punës dhe biznesit të pronarit.
Mungesa e Lidershipit të Mirëfilltë
Nuk ka asnjë pikë dyshimi që mungesa e lidershipit të mirëfilltë nga ana e pronarëve i ka sjellë punonjësit e tyre në këtë gjendje. Pastaj mungesa e lidershipit (prindërimit të duhur) edhe në familjet e këtyre punonjësve, ka shtuar dozën e pakënaqësisë dhe pasigurisë tek ta.
Vetëm njerëzit më të suksesshëm e pranojnë faktin që mund të kenë gabuar apo kanë pak njohuri rreth udhëheqjes/ lidershipit! Të tillët janë të gatshëm të kërkojnë mbështetje prej ekspertëve të kësaj fushe që t’i trajnojnë dhe udhëzojnë se si të bëhen udhëheqës më të mirë.
Pronarë të bizneseve dhe udhëheqës të organizatave dhe institucioneve të ndryshme, është nevoja urgjente që të kini mendjen dhe urtësinë e ta kuptoni këtë mangësi që mund ta keni. Intervenimi i juaj i shpejtë në këtë drejtim mund të shpëtoj biznesin tuaj por edhe shumë familje të punonjësve të cilët janë nën mbikëqyrjen (amanetin) dhe trajtimin tuaj.
Edhe liderët më të mëdhenj të botës kanë kaluar nëpër faza të tilla, me shumë gabime në udhëheqje, por dallimi i tyre është se ata gjithmonë kanë ndërmarrë hapa përmirësimi në të gjitha drejtimet e nevojshme, pra ata kanë qenë dhe janë student të përhershëm.
Pranimi i mundësisë së gabimit dhe udhëheqjes jo adekuate të deritanishme, do t’ju mundësoj të përmirësoheni, me garanci…
Çfarë po prisni…, ndihmoni biznesin tuaj, punonjësit tuaj, si dhe ekonominë e vendit me angazhimin tuaj.
Vehbi Zeqiri
Me përvojë prej më shumë se 30 viteve në pozita udhëheqëse