Testi me nxënësit e shkollave të mesme PISA, i cili organizohet nga Organizata për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (OECD – Organization for Economic Cooperation and Development) që nga viti 1997, është njëri ndër treguesit e nivelit dhe efikasitetit të politikave dhe praktikave arsimore të një vendi. Si i tillë,, ai shërben për të identifikuar mangësitë, problemet dhe sfidat e sektorit të arsimit, për të adresuar në mënyrë profesionale dhe efikase zgjidhjet dhe për të rritur nivelin e seriozitetit karshi arsimit në politikat shtetërore.
Blerim HALILI, Prishtinë
Arsimi nuk i përket vetëm politikës
Politika ose aparati shtetëror është mekanizmi kryesor, promotori i cili harton, vë në veprim, kontrollon e përditëson politikat dhe praktikat arsimore, në bazë të arritjeve më të reja metodologjike, shkencore e teknologjike (digjitale). Prandaj ekziston edhe perceptimi i përgjithshëm se, ashtu si faji për arsimin jocilësor, edhe meritat për arsimin cilësor të një vendi duhet t’i ngarkohen politikës. Megjithatë, sektori i arsimit nuk i përket vetëm politikës. Ai përcaktohet edhe nga një gamë e gjerë faktorësh, siç janë prania, trashëgimia dhe vazhdimësia e një sistemi funksional shtetëror dhe social dhe e një tradite intelektuale, kultura e përgjithshme e popullit përkatës, niveli i zhvillimit shoqëror dhe ekonomik etj. Këta faktorë e kufizojnë edhe hapësirën e shtetit për të ndërhyrë në mënyrë më efektive dhe më të shpejtë për ta ndryshuar gjendjen në arsim. Por, kjo assesi nuk e justifikon e as nuk e liron asnjë qeveri nga përgjegjësia për të qenë në krye të detyrës për përmirësimin e gjendjes, duke përdorur të gjitha kapacitetet njerëzore e logjistike dhe mekanizmat financiarë e legjislativë që i ka nën menaxhim.
Tri çështje
Rezultatet e testit “PISA 2022” prapë e nxorën Kosovën, Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut pothuajse në fund të listës. Rezultati i dobët i nxënësve që iu nënshtruan testit nxori në pah problemet serioze me të cilat përballet sektori i arsimit. Megjithatë, ky rezultat nuk ishte befasi, ngase edhe në vitet e mëparshme perfomanca e vendeve tona ishte shumë e dobët. Ky rezultat është shqetësues për shumë arsye. Së pari, ai reflekton nivelin e ulët të investimit në strategji afatgjata për rritjen e cilësisë në arsim dhe të produktivitetit të investimeve të bëra. Këto investime konsistojnë në strategji dhe politika zhvillimore për disa dekada, nxitje të programeve bashkëkohore të avancimit arsimor dhe të nxitjes së konkurrencës. Së dyti, ai e demonstron nivelin e dobët të përgatitjes së nxënësve për të adresuar çështje, përgjegjësi e zgjidhje mbi problemet e dhëna, qofshin ato në nivel teorik e mësimor, qofshin në nivel praktik e jetësor. Një gjeneratë me performansë të dobët në njohuritë e testit në fjalë do ta ketë të vështirë të ndërtojë, trashëgojë, përmirësojë e mirëmbajë sistem të qëndrueshëm social e institucional. Testi ka një nivel serioz, andaj edhe rezultati i tij është përcjellë me shqetësim dhe me kritika të shumta në nivel mediatik, politik e shoqëror. Ai, sipas definimit që ka, vlerëson njohuritë dhe aftësitë e nxënësve në tri fusha: 1) kompetencë për lexim dhe kuptim (pra qasjen kritike në leximin e materialeve të shkruara); 2) kompetencë matematikore (leximin, interpretimin dhe zgjidhjen e problemit të dhënë me anë të organizimit dhe interpretimit të informacioneve të dhëna) dhe 3) kompetencë në shkencat natyrore (njohje e çështjeve shkencore, përdorimi i diturive shkencore, identifikimi i përmbajtjes në studimet shkencore dhe ndërlidhje të të dhënave shkencore me dëshmi dhe përfundime. Qasja praktike e testit në matjen e diturive të nxënësve përkitazi me arsimin dhe jetën vërehet në mënyrën e hartimit të pyetjeve dhe detyrave, të cilat ndërtohen sipas konceptit: “Çfarë di?” dhe “Çfarë mund të bëj me diturinë time?”. Së treti, ky rezultat është një tregues se nxënësit nuk janë të përgatitur mjaftueshëm për t’u ballafaquar me konkurrencën në trendet rajonale, kontinentale e botërore përkitazi me aftësimin për zgjidhjen e problemeve, jetën dhe zhvillimin. Performansa e ulët në nivel kombëtar e rajonal, në një botë të konkurrencës së madhe për të dominuar në përvetësimin dhe kapitalizimin e aftësive profesionale dhe njohurive jetësore në kurriz të një bote të painkuadruar që nuk ka arritur të zë hapin me trendin e kohës, e vë në pikëpyetje ardhmërinë, por edhe sigurinë dhe kualitetin e asaj ardhmërie. Prandaj ky rezultat i përsëritshëm duhet të jetë njëherazi edhe thirrje urgjente për reflektim në nivel shtetëror e kolektiv.
Dy arsyetime
Përderisa do të duhej të pritej një rritje e performansës së nxënësve tanë në këtë test, edhe ky i fundit nuk solli përparim. Përkundrazi, shënoi prapakthim. Sa i përket testit të fundit, nëse hedhim një vështrim mbi kronologjinë dhe kontekstin në të cilin u realizua ai, mund të nxirren disa hipoteza. Testi është mbajtur në vitin 2022, që përkoi me vitin pasues të pandemisë Covid-19, gjatë së cilës ndodhi një ndryshim drastik e i imponuar nga situata shëndetësore (pandemike) në vend dhe në botë në mënyrën se si zhvillohet mësimi: nga mësimi në klasë, në mësimin online. Ky ndryshim diktoi edhe efikasitetin dhe performancën në mësim të nxënësve, në një situatë të jashtëzakonshme izolimi, e cila nuk ishte lehtë e përballueshme në aspektin social e psikik, ani pse shoqëria kosovare dhe bota shqiptare në përgjithësi, falë organizimit familjar të cilin ende e ka në themel të jetës shoqërore, e ka menaxhuar mirë izolimin dhe mbylljen.
Nga ana tjetër, konteksti politik, veçmas në rastin e Kosovës, ishte shumë i pafavorshëm për një fokus solid insitucional e social në spektrin arsimor. Bisedimet me Serbinë nën trysninë ndërkombëtare për të mbyllur problemin e pazgjidhur dhe për të parandaluar ndonjë prishje të paqes, të përcjella me veprime e kërcënime të Serbisë mbi sigurinë dhe integritetin shtetëror në veri të vendit, morën me të drejtë fokusin dhe energjinë kryesore të shtetit. Ndonëse përbën një sektor kyç për mbarëvajtjen dhe zhvillimin dhe të ardhmen e vendit, arsimi mbeti nën hijen e këtyre zhvillimeve të imponuara nga situata e ndryshuar e sigurisë rajonale e globale. Në vendet tona disa çështje nuk ecin dot e nuk ndryshojnë lehtë nëse nuk e kanë vëmendjen kryesore dhe nuk janë prioritet vetanak i krerëve të shtetit. Mungesa e një sistemi të trashëguar e imponon situatën kur fati i cilësisë në arsim, i projekteve zhvillimore dhe investimeve të qëndrueshme mbetet mbi gatishmërinë, vizionin, vëmendjen, kohën, vullnetin dhe kapacitetin e “personit kryesor politik” (kryeministrit, presidentit dhe stafit të ngushtë). Kjo praktikë ballkanike, në parim, nuk është e mirë, ngase është tregues i mungesës së përgjegjësisë në nivele dhe i mosfunksionimit efektiv të delegimit të detyrave dhe përgjegjësive sipas një hierarkie të vendosur.
Nevoja për ta kthyer vëmendjen tek arsimi
Ishte prilli i vitit 2022, një javë para se të fillonte testi PISA në Kosovë, kur Këshilli i Nxënësve të Kosovës organizoi protestën e rrallë nën moton “S’po shkohet në shkollë”, në të cilën u drejtuan kritika për mungesën e cilësisë në arsim, gabimet në tekstet shkollore, trajtimin jokorrekt ndaj nxënësve, mungesën e psikologëve etj. Ndër vite ka pasur raporte të ndryshme që e kanë kritikuar gjendjen në arsim. Me një vetëkritikë e vetëdijesim, duke filluar nga brenda vetë sektorit të arsimit, duke reflektuar mbi kritikat e secilit segment të shoqërisë, përmirësimi i gjendjes në arsim duhet të kthehet në prioritet nacional, ku do të fokusoheshin strategjitë, investimet e reformat e ku do të përfshiheshin, krahas institucioneve zyrtare, edhe vetë nxënësit, profesorët, prindërit, shoqëria civile, media dhe segmente të tjera shoqërore. Kështu do të idenfitikoheshin në mënyrë sistematike dhe efikase problemet dhe do të adresoheshin zgjidhjet me një bashkëpunim e koordinim ndërsektorial, gjithëpërfshirës e serioz.
Është evident fakti se epoka në të cilën jetojmë ka përmbysur disa role tradicionale të institucioneve kryesore shoqërore, përshirë edhe shkollën e arsimin. Krahas kësaj, ka ndryshuar edhe perceptimi i gjeneratave të reja ndaj mënyrës se si arrihen qëllimet. Tani ekziston një botë pluraliste në kuptimin e mundësive dhe potencialeve për fitim, pasurim dhe progres, madje edhe për t’u bërë qendra e vëmendjes së miliona njerëzve, për të bërë famë e prestigj, pa bërë edhe aq punë e pa dhënë ndonjë mund të madh. Mjafton të kujtosh rolin e botës digjitale, rrjeteve sociale ose reality show-ve, për të kuptuar alternativat që mund të sillen me mendjen e të rinjve që kanë ëndrra për famë e para. Këto fakte vënë në pah prakticitetin dhe lehtësinë përmes të cilave bota jashtëshkollore (lexo: “shkolla nuk është e domosdoshme, as e pazëvendësueshme”) ia mundëson individit “arritjen e majave” sipas një kuptimi modern materialist e hedonist. Prandaj, mënyra se si e shtrojmë këtë çështje duhet të vë në qendër idenë dhe traditën themelore të pothuajse çdo civilizimi të madh botëror, sepse nevojën për edukim dhe ngritje intelektuale nuk e zë dot asnjë segment tjetër shoqëror.
Në themel të çdo strategjie ose politike kombëtare mbi arsimin në Kosovë duhet nënvizuar dhe mbajtur në konsideratë rolin madhor, sakrificën dhe solidaritetin e mësimdhënësve shqiptarë në vitet e ’90-ta, në kontekstin e sistemit paralel shkollor. Ai mobilizim e solidaritet duhet të shërbejë edhe sot e nesër për ta menduar përgjegjësinë kolektive për arsimin dhe perspektivën e vendit. Ky rezultat i dobët në këtë test ndërkombëtar gjithsesi duhet të jetë rast për kritikë të zëshme shoqërore, politike e mediatike në shërbim të rritjes së potencialit dhe mobilizimit të nevojshëm shoqëror e institucional për reforma, por jo mjet i përçarjes, urrejtjes e degradimit të fjalorit e sjelljes publike, që do ta dëmtonte edhe më shumë mbarëvajtjen shtetërore dhe solidaritetin shoqëror. Po ashtu, ky rezultat do të duhej të shërbente si nevojë për një debat kolektiv, për të menduar edhe një herë mbi për dijen, kulturën dhe perspektivën e ardhshme. /revistashenja