Shifrat e rasteve të reja me koronavirus mbeten të larta në vendin tonë, ndërsa të rinjtë janë ata që i shmangin më shumë se të gjithë masat parandaluese.
Një pjesë e mirë e atyre që infektohen flasin
për pasojat që i lë sëmundja, ndonëse ende nuk është e qartë nëse janë afat gjata apo afat shkurtra.
Neurokirurgu Edvin Zekaj foli nga Milano në një lidhje me skype për “Wake Up” duke treguar se simptomat e sëmundjes vijojnë edhe pas shërimit pasi Covid-19 prek çdo organ.
“Këtë pjesën afatgjatë të simptoma e vija re jo shumë kur shërbeja në spital Covid, sepse normalisht pacientët kur dilnin nga spitali nuk i kontrollohej, sesa në ambulatorin që bëhej kontrolli nga neurokirurgët. Ka shumë simptoma që vazhdojnë edhe pas shërimit. Ato mund të ndahen, pasi te pacientët që kanë qenë të shtruar, ato i kanë disi më të vazhdueshme dhe të shtuara.
Një shqetësim që kanë shpesh është lodhja e vazhdueshme. Një kolege infermiere u kthye pas 6 muajsh në punë. U shtrua për 2 javë, nuk pati intubim, por nuk përqendrohej dot. Një vështirësi në përqendrim është pasojë e Covid.
Problemi kryesor është se popullsia e lidh Covidin vetëm me problemet e frymëmarrjes. Në të vërtetë, është vërtetuar që prek pothuajse çdo organ, duke filluar nga truri, pjesën e mushkërisë, zemrën, veshkën, lëkurën që shumë e nënvlerësojnë. Kam pasur shumë pacientë me probleme serioze në lëkurë dhe rënie flokësh. Disa pasoja janë permanente”, sqaroi ai./Burimi:Top Channel