Netanyahu planifikon të vizitojë Shtëpinë e Bardhë të hënën

Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, ka konfirmuar më herët se Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu do të vizitojë së shpejti Uashingtonin për të diskutuar rreth situatës në Gaza.

Sipas medias amerikane Axios, e cila citon katër burime anonime, Netanyahu planifikon të vizitojë Shtëpinë e Bardhë të hënën. Vizita do të përfshijë diskutime për luftën në Gaza, tarifat e reja që Trump ka vendosur ndaj Izraelit, si dhe krizën bërthamore me Iranin.

“Netanyahu mendon se mundësitë për një marrëveshje bërthamore SHBA-Iran janë jashtëzakonisht të ulëta dhe dëshiron të arrijë një marrëveshje me Trump për një sulm ndaj objekteve bërthamore të Iranit nëse diplomacia dështon,” raportoi Axios, duke cituar një zyrtar të lartë izraelit.

Megjithatë, Axios shton se planet për vizitën mund të ndryshojnë, pasi ajo varet edhe nga vendimi i gjykatësve izraelitë për të shtyrë seancat gjyqësore në procesin e vazhdueshëm të korrupsionit ndaj Netanyahut. /mesazhi