Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu u dërgua në strehimoren (bunkerin) e spitalit “Hadassah” në Kudsin Perëndimor pas operacionit të suksesshëm për heqjen e prostatës, transmeton Anadolu.
Në deklaratën nga kryeministria izraelite thuhet se operacioni i prostatës së Netanyahut ka rezultuar i suksesshëm.
“Operacioni përfundoi me sukses pa asnjë ndërlikim. Kryeministri u zgjua, është në gjendje të mirë dhe është plotësisht i vetëdijshëm”, thuhet në deklaratë.
Gjithashtu vihet në dukje se kryeministri Netanyahu u transferua në një strehë të fortifikuar brenda spitalit për shkak të shqetësimeve për sulmet me raketa dhe predha.
Netanyahu pritet të mbahet nën vëzhgim në spital për disa ditë.
Shefi i Departamentit të Urologjisë, prof. Ofer Gofrit tha se operacioni “ka shkuar siç ishte planifikuar”.
Netanyahu, i cili u ekzaminua nga një mjek në spital të mërkurën më 25 dhjetor, u diagnostikua me një infeksion urinar të shkaktuar nga zmadhimi beninj i prostatës dhe u vendos që prostata të hiqej me operacion.
Netanyahu (75) kryeministri më jetëgjatë në Izrael ka patur një sërë problemesh shëndetësore vitet e fundit për shkak të moshës së tij.
Ai u sëmur dhe u shtrua në spital në korrik të vitit të kaluar ndërsa në trupin e tij u vendos një pajisje për të monitoruar nga afër shëndetin e zemrës.