Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, ka thënë se nuk do të lejojë heqjen e asnjë vendbanimi ilegal hebre në Bregun e okupuar Perëndimor, transmeton Anadolu Agency (AA).
“Nuk do të lejoj heqjen e asnjë vendbanimi në tokat që shtrihen drejt Jahudës dhe Samaras (Bregu Perëndimor) në Izrael”, citohet në gazetën izraelite “Maariv” të ketë thënë Netanyahu në një fjalim të mbajtur me rastin e përvjetorit të 50-të të fillimit të ndërtimit të vendbanimeve hebraike në Bregun Perëndimor.
Netanyahu ka theksuar se është qeveria që ka punuar më së shumti në historinë e Izraelit për vendbanimet hebraike.
“Largimi i vendbanimeve hebraike nuk do t’i kontribuojë paqes. Me daljen nga Rripi i Gazës, ne u rrezikuam nga raketa, megjithatë, nuk do të lejojmë më tepër. Ne i vlerësojmë këto toka dhe do të vazhdojmë t’i mbrojmë ato si pasuri e jona strategjike”, ka shtuar ai.
“Fjalët e Netanyahut janë tradhti ndaj përpjekjeve të SHBA-ve”
Nga ana tjetër, Ministria e Jashtme e Palestinës ka reaguar ndaj deklaratës së Netanyahut.
“Deklarata e kryeministrit izraelit se vendbanimet hebraike në Bregun Perëndimor do të jenë permanente, paraqesin tradhti për përjekjet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) për rifillimin e negociatave për paqe”, thuhet në një deklaratë me shkrim nga ministria.
Në deklaratë po ashtu theksohet se vendbanimet hebraike janë në kundërshtim me marrëveshjet e nënshkruara dhe rezolutat ndërkombëtare dhe rrjedhimisht në kundërshtim me ligjin në të gjitha aspektet.
“Netanyahu i ka shtuar sulmet ndaj përpjekjeve për rifillimin e negociatave. Të gjitha praktikat e qeverisë së Netanyahut në tokat palestineze dhe veçanërisht në Jerusalem janë të pavlefshme”, thuhet në deklaratë.
Ndryshe, bisedimet për paqe mes Izraelit dhe Palestinës u ndërprenë në prill të vitit 2014, pasi Izraeli nuk pranoi kufijtë e vitit 1967, të drejtën e kthimit të palestinezëve të dëbuar dhe ndalimin e ndërtimeve në vendbanimet kolone.
Jerusalemi Lindor dhe Bregu Perëndimor janë nën okupimin izraelit që nga viti 1967. Në Jerusalemin Lindor gjenden 200 mijë kolonë hebraikë, kurse në Bregun Perëndimor mbi 400 mijë.
Sipas të drejtës ndërkombëtare, të gjitha vendbanimet kolone hebraike në këto rajone konsiderohen ilegale.