Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, ka deklaruar se nuk do të “përkulet” para presionit ndërkombëtar për të ndalur luftën në Rripin e Gazës, transmeton Anadolu.
“Asnjë presion ndërkombëtar nuk do të na ndalojë të realizojmë të gjitha qëllimet e luftës, eliminimin e Hamasit, lirimin e të gjitha pengjeve tona dhe sigurinë që Gaza nuk do të bëjë më një kërcënim kundër Izraelit. Ne nuk duhet të dorëzohemi para këtyre presioneve dhe nuk do të dorëzohemi para tyre”, tha Netanyahu në një takim qeveritar.
Kryeministri izraelit tha se presioni ndaj Izraelit fokusohet në thirrjen për mbajtjen e zgjedhjeve të reja në Izrael.
“Ata e bëjnë këtë duke u përpjekur të sjellin zgjedhje tani, në mes të luftës. Dhe ata e bëjnë këtë, sepse e dinë se zgjedhjet tani do të ndalojnë luftën dhe do ta paralizojnë vendin për të paktën gjashtë muaj. Nëse e ndalojmë luftën tani përpara se të arrihen të gjitha qëllimet e saj, do të thotë se Izraeli e ka humbur luftën dhe ne nuk do ta lejojmë këtë”, tha ai.
Të enjten, udhëheqësi i shumicës në Senatin e SHBA-së, Chuck Schumer, kritikoi udhëheqjen e Netanyahu-t dhe i bëri thirrje Izraelit të mbajë zgjedhje të reja. Netanyahu komentet e tij i cilësoi si “krejtësisht të papërshtatshme”.
“Nuk ia bën këtë një demokracie motër”, tha Netanyahu.
Pavarësisht paralajmërimeve ndërkombëtare, Netanyahu të premten autorizoi planet ushtarake për një operacion tokësor në Rafah, ku më shumë se 1.4 milionë njerëz janë strehuar nga lufta e vazhdueshme e Izraelit në Rripin e Gazës.
“Ne do të operojmë në Rafah. Do të duhen disa javë, por do të ndodhë. Ata që thonë se operacioni në Rafah nuk do të ndodhë, janë të njëjtët që thanë se nuk do të hyjmë në Gaza, se nuk do të operojmë në Shifa, se nuk do të operojmë në Khan Younis dhe se nuk do të rifillojmë luftimet pas armëpushimit (1-javor në nëntor)”, tha Netanyahu.