Netanyahu: Me presidentin amerikan kemi pikëpamje të ndryshme për Iranin dhe Palestinën

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu tha se janë dakord me Presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, për shumë çështje, por ata kanë pikëpamje të ndryshme për Iranin dhe Palestinën, transmeton Anadolu Agency (AA).

Pasi iu kujtua se kanë kaluar rreth 4 javë që kur Biden mori detyrën dhe ende nuk e ka telefonuar atë, në një intervistë për televizionin izraelit Channel 12, Netanyahu tha se Biden do të telefonojë. “Ne kemi një marrëdhënie të fortë miqësore për rreth 40 vjet. Ne e njohim njëri-tjetrin”, tha ai.

Duke theksuar se janë dakord me Biden për shumë çështje, Netanyahu tha, “Megjithatë, ka dallime në lidhje me Iranin dhe çështjen e Palestinës”.

Vlen të përmendet se presidenti amerikan ende nuk e ka telefonuar kryeministrin izraelit, megjithëse kanë kaluar rreth 4 javë që kur ai mori detyrën.

Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki, më 11 shkurt tha se Biden do të takohej me Netanyahun “së shpejti”, por ky takim ende nuk është zhvilluar.