Ne’tanyahu i kërkon OKB-së t’i tërheqë paqeruajtësit nga Libani

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu ka paralajmëruar OKB-në se forcat paqeruajtëse “UNIFIL” në Liban janë në “rrugë të gabuar”, teksa i ka bërë thirrje Sekretarit të Përgjithshëm, Antonio Guterres që t’i largojë ato.

“Dua t’i drejtohem sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së drejtpërdrejt nga këtu: është koha që ju të hiqni ‘UNIFIL’ nga bastionet dhe zonat e luftimit të Hezbollahut”, ka thënë Netanyahu në një video-deklaratë të dielën, raporton CNN.

Sipas tij, Forcat e Mbrojtjes të Izraelit (IDF) i kishin kërkuar UNIFIL-it që të riorganizohej disa herë, por ka shtuar se këto kërkesa janë refuzuar.

Netanyahu pretendon se prania e paqeruajtësve “kishte për qëllim për të siguruar një mburojë njerëzore për Hezbollahun”.

“Refuzimi juaj për të evakuuar ushtarët e UNIFIL-i bën ata pengje të Hezbollahut. Kjo i rrezikon ata dhe jetën e ushtarëve tanë”, ka shtuar Netanyahu.

Kryeministri izraelit ka deklaruar gjithashtu se i vinte keq që disa paqeruajtës të OKB-së janë plagosur.

“Ne na vjen keq për dëmin e ushtarëve të UNIFIL dhe po bëjmë gjithçka që mundemi për të parandaluar një dëm të tillë. Por mënyra e thjeshtë dhe e nevojshme për ta siguruar këtë është largimi i tyre nga zona e rrezikut. Kjo duhet të bëhet menjëherë, menjëherë”, ka shtuar Netanyahu.

Pesë paqeruajtës të UNIFIL-it janë plagosur nga sulmet izraelite në Libanin jugor në vetëm dy ditë.

Lëndimet e trupave të OKB-së kanë nxitur një dënim ndërkombëtar. /koha