“Netanyahu dhe ministri i Mbrojtjes kanë mospajtime për çështjen e ndihmës humanitare në Gaza”

Ministri izraelit i Mbrojtjes, Yoav Gallant për të cilin thuhet se ka probleme një kohë të gjatë me kryeministrin Benjamin Netanyahu, ka debatuar lidhur me ndihmën humanitare në Rripin e Gazës, transmeton Anadolu.

Siç raporton televizioni izraelit “Channel 12”, tensionet mes Netanyahut dhe ministrit Gallant janë rritur në një mbledhje me dyer të mbyllura të zhvilluar në fillim të kësaj jave.

Në takimin ku në rend dite ishte çështja për ndihmat humanitare që do të dërgohen në Gaza, Gallant tha se “Problemi nuk është të sjellësh produktet, por me kë i shpërndani ato. Dikush duhet të marrë kontrollin dhe kjo nuk do të jetë Suedia. Duhet të jetë administrata palestineze”.

Netanyahu duke akuzuar Gallant-in për vlerësim politik tha: “Nuk dua të dëgjoj ndonjë gjë rreth administratës së Palestinës”. Kryeministri izraelit në deklaratat e tij të mëparshme ka thënë se refuzon që administrimi i Gazës pas luftës të jetë nën administratën palestineze.

Thuhet se mes Washingtonit dhe Tel Avivit ka ndarje të mendimeve për shkak të këtij qëndrimi të Netanyahut.

Qeveria e Tel Avivit po pengon hyrjen e ndihmave humanitare në Gaza, të cilën e mban nën sulmet e tij që nga 7 tetori 2023. Për shkak të pengesës së ndihmës humanitare nga Izraeli, Rripi i Gazës ku jetojnë rreth 2.3 milionë palestinezë është shtyrë drejt urisë.