Netanjahu i zhytur në mashtrim e ryshfet

Policia e Izraelit ka deklaruar se kryeministri Benjamin Netanjahu është i dyshuar në dy hetim për mashtrim, shkelje besimi dhe ryfshet.

Gjithashtu policia zyrtarizoi hetimin e kryeministrit të vendit përmes dokumenteve të dorëzuara në Gjykatë nga detektivët. Këta të fundit i kërkuan gjykatës që të urdhërojë ndalimin e raportimeve për negociatat me ish-shefin e stafit të Netanjahut Ari Harow, i cili do të bëhet dëshmitar për shtetin.

“The Guardian” shkruan se konfirmimi i seriozitetit të akuzave ndaj Netanjahut, vjen në të njëjtën ditë kur gruaja e tij Sara u mor në pyetje sërish nga policia në lidhje me një çështje tjetër që ta të bëjë me shpenzimet shtëpiake të kryeministrit.

Ndërsa prej kohësh dihej që kryeministri Netanjahu hetohej për dhurata nga miq të pasur dhe përpjekje për të shmangur mbulimin mediatik, por kjo është hera e parë që përcaktohet si i dyshuar.

Vetë ai i ka mohuar të gjitha akuzat, duke pretenduar se hetimi është një përpjekje për të rrëzuar qeverinë e tij.

Ndërkohë nga zyra e kryeministrisë bënë me dije se fushata të tilla antiqeveritare do të dështojnë, pasi Netanjahu nuk ka bërë asgjë të gabuar dhe shumë shpejt kjo do të jetë e qartë.

Lidhur me këtë çështje, analistët thonë se përfshirja e ish-vartësit ët tij në ekuacion nuk është fare pa gjë, pasi vetë Ari Harow akuzohej dikur se përdori lidhjet me kryeministrin për interesat e tij dhe mbase tani di sekrete që prokurorët kërkojnë t’i mësojnë.