Nesër prezantohen gjetjet nga Komisioni i Ekspertëve për Matjen e Territorit

Komisioni i Ekspertëve për Matjen e Territorit të Kosovës ka njoftuar se sot mbajti takimin e radhës, ku u debatua për prezantimin e Draft-raportit, para se të gjitha rezultatet të publikohen zyrtarisht.

Ky komision ka njoftuar se publikimi i të dhënave do të bëhet më 21 Shkurt nga ora 10:00 në ambientet e Qeverisë së Kosovës, transmeton lajmi.net

“Prezantimi publik i të gjitha të dhënave, materialeve dhe gjetjeve do të bëhet më 21 shkurt 2017, në ora 10:00, në mjediset e Qeverisë, ndërkaq diskutimi publik do të zgjasë nga 21 – 24 shkurt 2017, nga ora 10:00 -15:00 në ndërtesën e Qeverisë”, thuhet në njoftim.

Lexo komunikatën e plotë:

Komisioni i ekspertëve për matjen e territorit të Republikës së Kosovës njofton opinionin se sot mbajti takimin e radhës, në të cilin debatoi dhe bëri përgatitjet e fundit për prezantimin e Draft-raportit para se t’i prezantojë publikisht gjithë dokumentacionin dhe rezultatet profesionale, shkencore dhe menaxheriale që lidhen me madhësinë territoriale të Kosovës.

Prezantimi publik i të gjitha të dhënave, materialeve dhe gjetjeve do të bëhet më 21 shkurt 2017, në ora 10:00, në mjediset e Qeverisë, ndërkaq diskutimi publik do të zgjasë nga 21 – 24 shkurt 2017, nga ora 10:00 -15:00 në ndërtesën e Qeverisë.

Gjithashtu, njoftojmë opinionin publik se përfaqësuesi i Fakultetit të Shkencave Matematike-Natyrore e braktisi në mënyrë demonstrative takimin vetëm pak minuta pas fillimit të tij ende pa filluar prezantimi profesional i Draft-raportit dhe me këtë rast, e deklaroi dorëheqjen e tij nga ky Komision.