Nesër hapen shkollat në Kosovë, Likaj: Ora e parë do t’i kushtohet pandemisë

Ministri i Arsimit, Ramë Likaj, një ditë para fillimit të vitit të ri shkollor në Kosovë, ka dhënë detaje për nisjen e procesit mësimor.

Likaj përmes një konference për media, ka thënë që vendimi për hapjen e shkollave nuk ka qenë aspak i lehtë.

“Ky vendim, ka qenë më i vështiri në karrierën time. MASH ka bërë tash e sa muaj përgatitje për fillimin e vitit shkollor. Janë pastruar dhe dezinfektuar shkollat, është hartuar udhëzuesi i përgjithshëm me 3 skenarë, është përgatitur master plani për E-mësimin që është miratuar me buxhet shtesë prej 12.5 milionë eurosh”.

“Secili institucion arsimor, e ka krijuar task-forcën e vet. Komunikimi i task-forcave do të jetë i përditshëm. Gjithahtu është publikuar kalendari për vitin e ri shkollor, janë shpërndarë librat, është bërë gati orari, janë trajnuar mësimdhënësit për përgatitjen e mësimit”, ka thënë ministri i arsimit.

Likaj theksoi se MASH ka ndarë mbi gjysmë milioni maska në shkollat e Kosovës.

“MASH ka shpërndarë mbi gjysmë milion maska. 300 mësimdhënës në gjendje të rënduar shëndetësore do të jenë jashtë procesit, por do të paguhen”, tha Likaj.