Nëse s’e përshëndetë mirëmbajtësen, mos e shkel as derën e universitetit

Ato janë dyer që hapen e mbyllen, shpesh përplasen, prishen, rinovohen, ndërrohen, por mbi të gjitha, u hapen të gjithë atyre që duan një të ardhme të mirë për veten.

Herë para e herë prapa atyre dyerve, qëndrojnë gra të sjellshme që pastrojnë vazhdimisht shkallët e universitetit, sallat e korridoret, dhe ato më të vështirat, tualetet.

Shumë prej nesh mund të mos na bien në sy, duke konsideruar se ato po bëjnë vetëm punën e tyre dhe se “për atë punë paguhen”. Ato vazhdojnë punën pa u përshëndetur nga shumica e studentëve, të cilëve sikur u dhemb goja t’u thonë “a je lodhë”.

Është një fjalë mirësjelljeje që sjell një “gënjeshtër të mirësjelljes”, kur automatikisht kthehet me “jo, jo”.

Për të gjitha ata që kalojnë nëpër ato dyer, ato/ata janë vetëm një numër qarkullues nëpër korridor dhe banja. Fati i tyre mund të ishte ndryshe po që se do të kishin studiuar në universitetin që ju e shkelni poshtë e përpjetë.

Ato mund të ishin mësimdhënëset tuaja, nëse do të ishin rritur në rrethanat që jeni rritur ju: kur ndahen monedhat e fundit për shkollimin tuaj.

Po të ishin profesorët tuaj, do t’i përshëndesnit me buzëqeshje e mirësjellje, ashtu siç bëni kur e takoni ndonjë tjetër që e konsideroni si “shtresë të lartë”.

Sa për t’ia kujtuar vetes se çka mund ndodhë sikur këto gra të mos qarkullonin më nëpër universitetin tuaj, shkruani në Google “si duket Roma kur punëtorët e pastrimit janë në grevë” (në anglisht).

Atëherë, mund ta merrni me mend se si Roma juaj, universiteti që ju pritni të ju ndrisë profesionalisht, do të dukej pa këto gra.

Duke mos harruar se jeta jonë përbëhet nga njerëz që i njohim e s’i njohim, përpiquni që të njihni sa më shumë. Mirësjellja nuk ka taksë. Mos mirësjellja do të duhej të kishte.

*Arbnora Avdiu Hoxha

/Mesazhi.com/