Nëse keni fëmijë kokëfortë, urime…

Prindërit shpesh shqetësohen për fëmijët e tyre, për arsye të ndryshme. Sidomos ata që janë bërë prindër rishtazi, pothuajse çdo “devijim nga normalja” të fëmijëve të tyre e marrin me shumë stres dhe gjithsesi provojnë të gjejnë zgjidhje për “problemet” që shfaqen te të vegjlit e tyre.
Padyshim se secili prind do të dëshirontë që fëmija ta dëgjojë, t’i pranojë mirë “komandat” dhe jo të këmbëngulë në atë që i thotë mendja e tij. Por kjo nuk duket se rezulton të jetë gjithmonë veti e keqe, të paktën jo sipas një studimi të publikuar në “Developmental Psychology”!
 
Studimi thotë se një fëmijë kokëfortë mund të shndërrohet në një të rritur shumë të suksesshëm. Hulumtuesit të cilët e kanë realizuar studimin, kanë përcjellë një grup prej 700 njerëzisht nga mosha 9 deri ne 40 vjeç dhe a mund ta merrni me mend se kush ishin ata që marrin paga më të larta? Pikërisht ata që ishin kokëfortë, me vullnet të lartë dhe që kishin injoruar edhe rregullat edhe prindërit, përfundonin duke fituar shumë më shumë se të tjerët.
 
Autorët e studimit insistojnë se fëmijët e tillë mund të jenë më garues në klasë, gjë që sjell nota më të mira. Ata gjithashtu mund të jenë më kërkues si të rritur; kur negociojnë për pagën, mund të kërkojnë më shumë. Ata gjithashtu janë më të gatshëm të luftojnë për interesat e tyre financiare, madje edhe nëse me këtë rrezikojnë t’i bezdisin miqtë dhe kolegët.
Sidoqoftë, duhet theksuar se thjesht të qënit kokëfortë nuk është mjaftueshëm për të pasur jetë të lumtur.
Megjithatë, prindër të nderuar, mos u shqetësoni shumë nëse fëmija juaj dëshirron t’i thyej rregullat, sepse nëse sot e kërkon një çokollatë më të madhe, nesër do të kërkojë rritje page më të madhe.
 
Autor:
Revista Psika