Nëse Intel nuk gjen një zgjidhje përballë Qualcomm, fundi i epokës së kompjuterëve me procesorë x86 është pranë

Përgjatë tre dekadave të fundit, rivalët kanë tentuar të sfidojnë Intel në krye të industrisë së procesorëve.

Për aq kohë sa mbajmë mend, Microsoft dhe Intel kanë qenë partnerë të pandashëm. Intel krijonte çipe x86 që ishin në zemër të pllakave amë të kompjuterëve personalë dhe Microsoft ndërtonte sistemin operativ Windows që vinte në funksion këto kompjuterë.

Dy brendet në fjalë ishin bërë për njëri-tjetrin dhe në fakt analistët e industrisë kishin filluar ti quanin Wintel.

Përgjatë tre dekadave të fundit, rivalët kanë tentuar të sfidojnë Intel në krye të industrisë së procesorëve. Shumica e tyre kanë një pjesë tregu të vogël për tu matur. Sfiduesi më i madh i Intel ka qenë AMD dhe arriti 20 përqind të tregut të kompjuterëve personalë duke joshur gamerat dhe blerësit e kompjuterëve të performancës së lartë.

Por prezantimi i Snapdragon X nga Qualcomm ka potencialin për të tronditur mbarë industrinë. Surface Pro 11 mori vlerësime shumë pozitive dhe prej atyre që vendosën të përdorin një prej modeleve të reja me procesorët e Qualcomm thonë se nuk kanë ndërmend të kthehen tek një kompjuter Intel.

Zac Bowden i Windows Central e quajti Surface Laptop 7 si laptopin më të mirë në treg duke shtuar se jetëgjatësia e baterisë ishte fenomenale. Chris Hoffman i PCWorld e quajti Lenovo Yoga Slim 7X një vitrinë të procesorëve Snapdragon X Elite duke vënë theksin tek jetëgjatësia e baterisë.

Devindra Hardawar nga Engadget e quajti Surface Pro 11 laptopin më të mirë që Microsoft ka ndërtuar ndonjëherë. Të gjithë këta janë analistë të shquar dhe me eksperiencë të cilët nuk kanë frikë ti drejtojnë gishtin Microsoft kur ky i fundit e dreqos diçka.

I vetmi vlerësim negativ që një kompjuter me çipet ARM Snapdragon të Qualcomm mori ishte nga Wired dhe Christopher Null i cili tha se pavarësisht jetëgjatësisë së shkëlqyer të baterisë, ishte pajisje e kushtueshme.

Testimet e para gjithashtu mbajtën anën e këtij revolucioni që po vjen në kompjuterët personalë me harduerin e Qualcomm. Tom’s Guide publikoi një testim të thellë e rigoroz duke thënë se laptopët Snapdragon X Elite jo vetëm që kanë jetëgjatësi të lartë baterie, por edhe performancë të lartë.

Mund të thuhet lehtësisht se Qualcomm ka venë Apple dhe Intel në alarm. Por të kishim qenë ekzekutiv të Intel, do të ishim duke djersitur tani. Dizajnët ARM të procesorëve janë superiorë dhe po fitojnë terren edhe tek qendrat e të dhënave me avantazhe të mëdha në konsum energjie por edhe në epokën e re që po vjen të inteligjencës artificiale.

Intel me shumë gjasa do ti mbijetojë për ca kohë, por procesorët Snapdragon X do të ekspozojnë thembrën e akilit të Intel në një mënyrë që nuk është parë ndonjëherë në tregun e kompjuterëve personalë.

Goditjen e parë Intel e mori kur Apple katër vite me parë lançoi një linjë të re MacBook-ësh të cilët fuqizoheshin nga procesorët M1. Laptopët e rinj Apple bënë bujë për jetëgjatësinë e baterisë dhe performancën edhe pse disa prej analistëve të parë u shprehën skeptikë me tituj bombastik si “A duhet të blej një Mac me procesor M1?”

Në uebsajtin e saj Apple godet performancën e kompjuterët të saj të kaluar me procesorë Intel. Sot në uebsajtin e kompanisë nuk e gjeni dot edhe një kompjuter të vetëm me procesor Intel.

Apple sigurisht kishte një avantazh të madh kur vendosi të divorcohej nga Intel. Ishte i vetmi furnizues hardueri që operonte në macOS. Kompjuterët personalë Windows janë tjetër gjë. Marrëdhënia mes Microsoft dhe Intel është shumë më e komplikuar. Dhe mbase kjo ka për të shpëtuar Intel. Qualcomm gradualisht do të fitojë terren përballë kompanisë, por bizneset do të jenë ato më skeptiket kur bëhet fjalë për adoptimin e një platforme e cila ende nuk është testuar mirë.

Gjithashtu të gjitha ato aplikacione të vjetra që janë dizajnuar për të funksionuar me harduerët e Intel do të mbeten një prej pengesave kryesore të adoptimit të harduerëve me çipet e Qualcomm për bizneset dhe korporatat.

Edhe gamerat do të mbeten besnikë ndaj platformave të vjetra kur numri i lartë i fps-ve është i garantuar. Megjithatë presioni po shtohet mbi Intel. Ata nuk kanë pasur një konkurrencë serioze prej dekadash.